Lajme Shqip Monday, 19 October 2015 10:25

Muskujt i ka si të “Hulkut”, veshjen si të “Spidermanit”. Por për dallim nga këta të dy, në brez mban pistoletën. Nuk fluturon e as nuk shndërrohet në përbindësh. S’ka ndonjë superfuqi. Por kjo nuk është e vetmja që e dallon: në gjoks mban shqiponjën. Ai është i shkathët dhe i shpejtë. Qëllimi i tij është që t’i mbrojë njerëzit e qytetit të tij, Prizrenit, dhe këtë e bën duke ndaluar gupet kriminale në vend.

Meritor për këtë personazh është Gani Sunduri, artisti i stripit që ka krijuar heroin e parë të maskuar shqiptar, “Shqiponjën”. Dy episodet e para të këtij strupi, të cilin e realizoi në vitin 2000, i botoi në gazetën “Koha Ditore” në shtojcën asokohe të quajtur “Vizatori”.

Ky personazh është i veshur me kostum të kuq, ndërsa maskën dhe çizmet i ka të zeza. Është personazhi i stripit me po të njëjtin emër, i cili së shpejti do të botohet edhe në Francë, nga shtëpia botuese “Delcourt”, shkruan sot Koha Ditore.

E “Shqiponja” është vetëm një prej personazheve shqiptare që Sunduri ka krijuar. Në mesin e tyre është edhe Skënderbeu. Tani po punon në stripin “Thesari i Davidit”, i cili po ashtu do të botohet në “Delcourt”.

Sunduri përveç stripit ka edhe një bagazh karikaturash. Veprat e tij janë shpërblyer dhe vlerësuar në shumë festivale të botës. Deri më tani ka marrë 30 mirënjohje, si dhe 3 çmime në Maqedoni për zhvillimin e stripit në Kosovë.

Këtë vit ai është përzgjedhur Ambasador i Karikaturës për Kosovë nga associacioni botëror i karikaturës “Partia Dobrego Humor” në Poloni. Në një intervistë për gazetën, Sunduri rrëfen historinë prapa personazheve të tij që tashmë po thyejnë edhe kufijtë e Kosovës.

“Shqiponja” niset për në Francë

Duke parë një mori superheronjsh që dalin nga shtete të ndryshme të botës, artisti Gani Sunduri u tundua që vetë ta krijojë një të tillë për vendin e tij. Si rezultat i kësaj do të dilte personazhi i fuqishëm i stripit “Shqiponja”.

“Për këtë hero jam frymëzuar nga superheronjtë e tjerë amerikanë. Nëse çdokush e ka një superhero, atëherë përse edhe ne mos ta kemi një të tillë”, thotë Sunduri, teksa tregon se kështu i lindi ideja që ta krijojë superheroin e parë kosovar.