Lajme Shqip Thursday, 27 September 2012 16:07

Tiranë – Jemi në 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar dhe ai që erdhi nga Kosova me qindra luftëtarë trima për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, sot i ka eshtrat në një thes të vjetër, në një nga xhamitë e qytetit të Mitrovicës, në Kosovë. Këtë skandal, e pohon nipi i tij direkt që jeton në Tiranë, i cili mban të njëjtin emër me heroin tonë kombëtar. “Shekulli” bëri një vizitë në shtëpinë e Boletinëve. Në kontaktin e parë, sa hapëm derën e apartamentit në një nga pallatet në zonën e Bllokut, ndjejmë erën e Pavarësisë. Ky është viti i tyre.

Teksa bisedojmë me Isën 82-vjeçar, dhe gjendemi të ulur në kolltukun e sallonit, prapa nesh “na shoqërojnë” kryelartë Isa dhe Ismali Qemali, ditën e ngritjes së flamurit, 100 vjet më parë. Duket sikur po na vëzhgojnë ndërsa u hedhim herë pas here vështrimin  fotografive të tyre në mur. Nuk ka se si të mungojnë në shtëpinë e nipit të Isa Boletinit, fotot e 28 nëntorit të vitit 1912. Kanë një ngjashmëri të habitshme, sytë, balli, vetullat…

Isa ynë, mban veshur pantallona xhins e atlete të bardha. E rrallë kjo mënyrë të veshuri për një moshë kaq të thyer. Sa herë që ulet me miq dhe të afërm, nuk mundet kurrsesi, të mos bisedoj edhe për 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Pa dyshim mes kontribuesëve më të shquar,  është edhe gjyshi i tij. Ndërsa rreshton gjithë meritat e Isës, është gati të ulëras, kur kujton që eshtrat e tij, prej shumë vitesh nuk kanë gëzuar as respektin më minimal për një luftëtar të shquar të Shqipërisë, nuk kanë një varr, ku të prehen.

“Gjyshi im ishte njeri që  donte Shqipërinë natyrale, atë të parëve tanë, luftoi dhe dha gjithçka për të, pasurinë, gjakun e tij, të fëmijëve dhe nipërve”. Kështu e nis fjalën pinjolli i familjes Boletini. Flet gjithë pasion për të parët. Aq sa mban shtrënguar fort pas vetes, librat që janë shkuar për të. “Is Boletini, është i vetmi Rilindas dhe atdhetar, për të cilin janë shkruar 16 libra”, -shprehet ai me krenari.

Shumë herë e ka vizituar vendlindjen e gjyshit dhe të të atit, fshatin Boletin afër qytetit të Mitrovicës. Ajo kullë, ka qenë një bazë e madhe e patriotizmit edhe në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës nga serbët në vitet 1998-1999. “Kullën e vjetër të fisit tonë, e kam ringritur pikërisht mbi ato themele që ka pasur. Tre herë është djegur kulla e Boletinëve, nga serbët dhe turqit. Shumë djem të rinj e patriotë kanë dalë nga ky fis, por ai që u shqua mbi ta, ishte Isa Boletini”. Emri i tij lidhet fort me kryengritjet e mëdha shqiptare kundër pushtimit turk, në vitet 1908-1912, pa harruar që ka rrëmbyer pushkën që me Lidhjen e Prizrenit. Por mbi të gjitha Isa, do të njihet si personi që vendosi të kontribuojë për Shqipërinë e pavarur. Besnik ndaj Ismail Qemalit, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Isa Boletini futet triumfator në qytetin e Vlorës, bashkë me 105 djem të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre, vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur, se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin plakun e Vlorës, të paktën fizikisht pasi në bisedat e shumta me Ismail Qemalin, Isai kishte dhënë besën se jeta e tij dhe e luftëtarëve që drejtonte, do ishin për Shqipërinë e lirë. Dhe në fakt, nuk e shkeli kurrë atë besë të dhënë. Ai nuk dorëzohej, nuk përulej para askujt, prandaj që në moshën 54-vjeçare, fitoi të drejtë të quhej “bac”, një titull që nuk meritohej lehtë në ato kohë. (Sh.O)