Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 15:22

Elbasan – Në 25 nëntor 1912 Elbasani ngriti i pari flamurin e Pavarësisë duke vënë kështu gurin e parë në themelin e Pavarësisë kombëtare.

Aktivitetet nisën me ceremoninë përkujtimore për patriotin e shquar Aqif Pashë Elbasanin dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë. Nën tingujt e himnit kombëtar, kryeministri Berisha së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit z.Qazim Sejdiu dhe prefektin e qarkut Shefqet Deliallisi zbuluan pllakën në nderim të 37 firmëtarëve të Pavarsisë së Elbasanit dhe të përfaqësuesëve të Elbasanit në Vlorë më 28 nëntor 1912, si Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri dhe Qemal Karaosmani.  

Pllaka, së bashku me shtatoren e Aqif Pashë Elbasanit, janë vendosur në bulevardin e qytetit që mban emrin e tij. Më pas, kryeministri Berisha dhe të pranishmit e tjerë inauguruan dhe shtatoren e Lef Nosit, atdhetarit, politikanit dhe studiuesit nga Elbasani, i cili ka qënë dhe ruajtësi i Dokumentit të Pavarsisë së Shqipërisë 100 vjet më parë.

“Sot këtu me ju dhe shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë, përulemi me nderimin më të madh para këtij burri vigan të Elbasanit dhe të kombit shqiptar. Para udhëheqësve të tjerë të këtij qyteti, që në kushtet e një pushtimi të egër barbar do të ngriheshin mbi çdo vështirësi me një kurajo mbinjerëzore do të shpallnin këtu në qytetin tuaj Aktin e Pavarësisë së vendit. Deklarata e Pavarësisë e shpallur këtu në qytetin e Elbasanit i bën nder çdo qytetari shqiptar, çdo qytetari ballkanik, çdo qytetari europian. 100 vjet më parë burrat e mençur të këtij qyteti sanksionuan në deklaratën e tyre se në Shqipërinë  e lirë dhe të pavarur do të mund të jetojnë të lirë shqiptarë dhe të huaj në respekt të plotë të lirive njerëzore, çka përbën këtë akt  frymëzues për shqiptarët sot dhe të gjitha kohërat”, u shpreh Berisha.

Ky 100 vjetor, tha kryeministri Berisha, po festohet nga shqiptarët me një vetëdije kombëtare me një dashuri dhe respekt për veten e tyre, për njëri- tjetrin, për trojet shqiptare me shumë se kurrë në histori. Kreu i qeverisë theksoi se është në detyrën tonë ta zhveshim historinë nga çdo ideologjizëm.

Sipas kryebashkiaukut Qazim Sejdini, historia ende nuk i ka dhënë vendin e duhur Elbasanit për kontributin e tij madhor. (T.Ch)