Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 23:41

Shkodër – Pranë memorialit në qëndër të Shkodrës në nderim të Hasan Riza Pashës, ish-komandant turk që doli në mbrojtje të qytetit në vitin 1912 dhe dëshmorëve të tjerë turq, rënë në luftë aso kohe, është zhvilluar një ceremoni përkujtimore me homazhe dhe lule.

Në ceremoni morën pjesë autoritetet vendore, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hasan Ashan, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral major Maksim Malaj, Atasheu Ushtarak turk i akredituar në Tiranë, kolonel shtabi Zafer Ugur, etj.

Ish-komandanti turk Hasan Riza Pasha është figurë e njohur për kontributin në mbrojtjen e Shkodrës pas 8 tetorit, 1912, kur trupat malazeze sulmuan qytetin. Divizioni turk në komanden e Hasan Riza Pashës i bëri ballë sulmeve në mbrojtje të Shkodrës, deri sa pas atentatit të organizuar ndaj tij, ra dëshmor me 30 janar, 1913.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hasan Ashan e konsideroi “një ditë të shenjtë”. “Kemi dëshmorë të përbashkët, pasi edhe historinë e kemi të përbashkët, dhe unë them për këto dëshmorë, prehuni në paqe”, tha Ashan.

Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, krahas evidentimit të vlerave që Hasan Riza Pasha dha për mbrotjen e Shkodrës nga pushtimi malazes në vitin 1912, theksoi ndihmën e pakursyer që qeveria turke dha për banorët e qarkut gjatë përmbytjeve të fundvitit të kaluar.

Në një fjalë përkujtimore, Atasheu Ushtarak turk, kolonel shtabi Zafer Ugur vlerësoi dëshmorët dhe heronjtë turq, duke rikujtuar betejën e 18 marsit të Canakkalasë, si “dëshmi e faktit se kombi dhe atdheu turk nuk u robërua e coptua dhe as nuk u fshi nga historia”.

Ai vlerësoi figurën e Hasan Riza Pashës, si “gjenerali heroik osman gjatë luftës ballkanike në vitet 1912-1913, ku ishte komandanti mbrojtës i Shkodrës”.

Hasan Riza Pasha me 19 korrik, 1911 u emërua komandant i Divizionit të 24-t të ushtrisë turke në Shkodër, ndërsa me 27 maj 1912, Prefekt i qytetit.

Duke iu referuar historisë, Ugur theksoi se “me 8 tetor, 1912, me shpalljen e luftës nga vendet e Ballkanit kundër Perandorisë Osmane, trupat bullgare sulmuan zonën perëndimore, kurse malazezët, duke u ndarë në tre grupe, sulmuan Shkodrën. Divizioni nën komanden e Hasan Riza Pasha-it i bëri ballë sulmeve të armikut, deri sa pas një atentati të organizuar ndaj tij, ra dëshmor me 30 janar 1913″.

Për kontributin e dhënë në dobi të mbrojtjes së Shkodrës, pas vrasjes, Hasan Riza Pasha u  varros fillimisht në lagjen Parrucë, ndërsa më pas, varri i tij u spostua në varret e Komanës në periferi të qytetit.

Gjatë viteve të demokracisë, me propozimin e shoqatës “Hasan Riza Pasha” në Shkodër dhe mbështetjen e pushtetit lokal, u ngrit në një nga lulishtet kryesore të qytetit memoriali kushtuar kësaj figure. Në gusht 1996,  Presidenti i Shqipërisë i asaj kohe, Sali Berisha e dekoroi me dekoratën e “Trimërisë së Klasit të Parë”.

“Hasan Riza Pasha me heroizmin dhe praninë shpirtërore të monumentit të tij ku ndodhemi sot, vazhdon të bashkojë popujt e Turqisë dhe Shqipërisë”, u shpreh atasheu ushtarak turk në Tiranë, Zafer Ugur.