Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 10:27

Shkodër – Festivali i 49-të Mbarëkombëtar i këngës për Fëmijë, i mbajtur për tre ditë me radhë në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës, përfundoi mbrëmë vonë, duke nxjerrë fituese 12 vjeçaren nga Gjakova e Kosovës, Shpresarta Sadriu.

Pas dy ditëve të para, ku u interpretuan 34 këngë, nga 17 në secilen natë, mbrëmë në skenë u ngjitën 21 këngët më të zgjedhura, nga të cilat Juria e Festivalit, e përbërë tërësisht nga fëmijë, shpalli fitues të çmimit të parë këngën “Fjalë vetem fjalë”, me muzikë të Shpëtim Gashit, tekst të Edona Krasniqit dhe të interpretuar nga Shpresarta Sadriu.

Me çmim të dytë u nderuan këngët “Motra jemi shoqe jemi”, me muzikë të Edmond Rrapit, tekst të Lejdi Shqiponjës dhe të interpretuar nga dueti Iva Latifi dhe Sidorela Hasa, si dhe “S’ka me përse”, me muzikë të Frederik Ndocit, tekst të Alfred Çapalikut dhe të interpretuar nga Niki Mjeda. Me çmim të tretë, u vlerësuan tre këngë, “T’i nuk rri po punon”, me muzikë të Edmond Zhulalit, tekst të Jorgo Papingjit dhe të kënduar nga Livia Murataj, “Dita e verës”, me muzikë dhe tekst të Markelian Zaka dhe të kënduar nga Fjoralba Prendi, si dhe “Lahem çupa çupa”, me muzikë dhe tekst të Ervin Bushatit dhe të interpretuar nga Iljada Iljazi.

Festivali, në të cilin ishin pjesëmarrës këngëtarë nga Shqipëria, si dhe trevat shqiptare jashtë vendit, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, kishte organizator Bashkinë Shkodër, Qëndren Kulturore të Fëmijëve Shkodër, Shoqaten “Shpirti Artistik Shkodran”, RTV Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrisë Arsimit dhe Shkencës, Drejtorisë Arsimore Rajonale Shkodër, duke pasur kujdesjen e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina Topalli.

Sipas organizatorëve, festivali i këtij edicioni, mosha e pjesëmarrësve të të cilit ishte më e vogla e të gjithë festivaleve të mëparshme, paraqiti një tjetër arritje në fushën artistike, jo vetëm nga interpretuesit e këngëve, të cilët kishin punuar mjaft mirë gjatë fazave përgatitore, por edhe kompozitorët, autorët e teksteve, mënyra e prezantimit nga dyshja Enkeleda Zeko, gazetarja e Televizionit Shqiptar, si dhe kosovari Dritan Siçetza, pa lënë mënjanë edhe skenografinë, që si gjithnjë, me artin e Adnan Kastratit, ishte në lartësinë e duhur.