Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 09:14

Shkodër – Rreth 20 fotografi të ekspozuara sot në një ekspozitë në qëndër të qytetit, tërhoqën vemendjen e qytetarëve shkodranë. Ekspozita është pjesë e aktivitetit shumëplanësh të organizuar nga të rinjtë e qëndrës “Kolping”, me qëndër në qytetin e Shkodrës.

Tea Pusi, drejtuese e grupimit të të rinjve të qëndrës “Kolping”, tha për ATSH-në se “kjo është ekspozitë sociale, e cila bashkon idetë inovative artistike dhe përkrahjen e dy grupeve shoqërore në nevojë, të moshuarit dhe të sëmurët mendorë”. Sipas saj, ekspozita ka në fokus katër tema kryesore: të moshuarit, gratë, fëmijët dhe ambientin. Ka plotësisht qëllim social dhe synon të ndihmojë qëndrën e të moshuarve “Dimension human”, një qëndër ditore për të moshuarit, e frekuentuar nga rreth 40 të moshuar të qytetit të Shkodrës, si dhe “Casa Mimoza”, një shtëpi që trajton njerëzit me aftësi të kufizuar.

Pusi bëri të ditur se aktiviteti në fjalë mbështetet nga shumë biznese të ndryshme, sepse qëllimi i saj kryesor është që të financojë, kontribuojë në shërbim të dy target grupeve, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuar.

Nga një numër i madh fotosh, të përgatitura nga fotografë amator dhe profesionistë, 20 më të mirat janë përzgjedhur nga organizatorët për t’u ekspozuar në stenden e vendosur në qëndër të qytetit, ndërsa të tjerat kanë zënë vend në mjediset e qendrës “Kolping”.

Ndërkohë, sipas organizatorëve, nesër, gjatë një aktiviteti tjetër përmbyllës, do të organizohet një ankand për shitjen e këtyre fotove, dhe fondet do të shkojnë për llogari dhe në ndihmë të dy targeve grupeve të mësipërme.

Organizatorët theksojnë se nga kontributi i deritanishëm i bizneseve dhe i qytetarëve që dhurojnë për këto mosha, janë mbledhur shumë fonde, të cilat do të shpenzohen për të ngritur një bibliotekë për të moshuarit. Në këtë nismë përfshihen edhe qytetarët shkodranë, të cilët duke dhuruar nga një libër, kontribuojnë për pasurimin e kësaj biblioteke. Por, krahas kësaj, me fondet që do të mblidhen në dy ditët e aktivitetit të planifikuar nga qëndra sociale “Kolping”, për të strehuarit në “Casa Mimoza”, si dhe të moshuarve, do të organizohet një ekskursion në një nga pikat turistike të rajonit të Shkodrës, të shoqëruar edhe me aktivitete të tjera të larmishme kulturore-artistike.