Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 07:10

Shkodër – Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur shkodran, Stefan Çapaliku, prezantoi dje para artdashësve dhe artistëve shkodranë dy filma dokumentarë, të prodhuar së fundmi.

Filmi i parë me titull “24 Karat”, i kushtohet qytetit të Rubikut, aty ku jo shumë kohë më parë, në ish- fabrikën e pasurimit të bakrit, është prodhuar edhe ar 24 karatsh. Ndërsa, filmi i dytë dokumentar, 40 minutësh, “Macet e zeza”, trajton pikturën porno nga artistët shqiptarë, personazhet kryesore të cilit janë dy femra, të cilat prej vitesh punonin si modeliste pranë Institutit të Arteve, sot Akademia e Arteve në Tiranë.

Pas shfaqjes së filmave dokumentarë Çapaliku u shpreh për ATSH-në se “këto filma, prodhime të kompanisë “DIGITAL”, ai i ka realizuar në një bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e fotografisë, Flor Haxhihyseni dhe me kompozitorin Mark Luli”.

Lidhur me filmin e dytë, Çapaliku u shpreh se ai ende nuk është shfaqur për shikuesit dhe shfaqja e parë e tij u bë pikërisht në Shkodër, për të parë se si reagojnë njerëzit.

Për aq sa pashë, thotë ai, konstatova një reagim të mirë dhe pozitiv nga publiku. Kjo, tha Çapaliku, është një gjini që i pëlqen, “pjesë e aventurës artistike, është pjesë e kërkimeve, që ashtu si në teatër, e kërkon atë nëpërmjet kameres, dhe në gjini të tjera gjatë karrieres artistike”.

Edhe pse vitet e fundit, Stefan Çapaliku ka pasur një sukses të madh në vënien në skenë të dramave, melodramave e komedive, ai thotë se është i kënaqur me çfarë ka arritur deri tani në këtë gjini dhe se do të vazhdojë të provojë edhe me sfida të tjera në këtë gjini.

Së bashku me Flor Haxhihysenin, Çapaliku tha se po punojnë për të realizuar një film të tretë dokumentar. Ai thotë se filmi, i cili është në procesin e xhirimit, është një film mbi statusin social të mbas viteve ’90-të. E rëndësishme për Çapalikun është që të vazhdojë të punojë për artin.