Lajme Shqip e Martë, 11 Tetor 2011 09:01

Tiranë – Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi deklaroi se BE do të vijojë mbështetjen financiare në objektet arkeologjike shqiptare.

Gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës “Murat Toptani” pranë kalasë së Tiranës mbrëmë, ambasadori Sequi vuri në dukje jo vetëm nevojën, por edhe mundësinë reale të pajtimit të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë me ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ai vërejti se rindërtimi i hapësirave historike duhet të qaset nga një këndvështrim socio-ekonomik si në zonat urbane edhe në ato rurale, duke i bërë kështu këto hapësira më të njohura dhe më të depërtueshme pasi “lehtësimi i aksesit”, tha ai, “i fton njerëzit të mblidhen, dhe kjo si rrjedhojë fton bizneset të lulëzojnë”.

Ambasadori Sequi theksoi rëndësinë e përcaktimit të burimeve të duhura njerëzore dhe financiare për mirëmbajtjen e zonës, duke shtuar se “për Bashkimin Evropian është inkurajues përkushtimi afatgjatë për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të hapësirave historike”.

Investimet e BE-së, sipas Sequit, në objekte arkeologjike në Shqipëri, llogariten në rreth 9 milionë euro. Ky projekt, tha Sequi, është pjesë e një sërë projektesh që po zbatohen nga BE-ja në të gjithë vendin për restaurimin e disa vendodhjeve historike.

“Bashkimi Evropian i është përkushtuar ruajtjes dhe promovimit të hapësirave të rëndësishme historike e kulturore dhe do të vijojë të mbështesë Shqipërinë për rindërtimin e infrastrukturës së hapësirave të tilla edhe në pika të tjera të vendit, si në Shkodër, Elbasan, Berat dhe Korçë ku punimet filluan në gusht”, tha Sequi.

Bashkimi Evropian ka mbështetur me 2 milionë euro rindërtimin e zonës këmbësore që shtrihet përgjatë kalasë mesjetare të Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë e Urës së Tabakëve. Punimet për këtë rrugë kanë filluar që më 2009.

Rindërtimi i zonës që përurohet sot zyrtarisht ka qënë pjesë e një projekti më të gjerë ndihme i Bashkimit Evropian financuar me 3.5 milionë euro nga xhepat e taksapaguesve evropiane, nëpërmjet të cilës po realizohen edhe punime të ngjashme në Himarë dhe Krujë.