Lajme Shqip Thursday, 22 March 2012 17:30

“Gay Paradë” do të zhvillohet edhe në Tiranë, ashtu siç ndodh në vende të tjera në çdo 17 maj, në ditën ndërkombëtare të homoseksualëve dhe lesbikeve. Kreu i “Ambasadës Pink”, Altin Hazizaj kërkoi që në Tirane të ngrihet flamuri i komunitetit “LGBT” (Lesbians, Gay, Bisexual and Transexuals), të cilin do t’ia dorëzojë kryeministrit Sali Berisha pikërisht në këtë ditë.

“17 maji është një ditë speciale për ne. Është dita ndërkombëtare kundër homofobisë. Një nga sheshet kryesore të Tiranës do të ketë pa dyshim evente, që do të ketë të bëjnë me promovimin, garantim dhe pa dyshim, respektimin e të drejtave të këtij komuniteti. Pa diskutim, ne do t’i kërkojmë autoriteteve shqiptare që në 17 maj të ngrënë flamurin LGBT, përkrah flamurit shqiptar, në këtë 100-vjetor të themelimit të shtetit tonë. Mendojmë që të kemi aktivitete, duke nisur nga ajo që duhet parada e flamurit, ku duam t’i dorëzojmë flamurin tonë vetë kryeministrit Sali Berisha”, u shpreh zoti Hazizaj.

Përfaqësues të Ambasadës Pink dhe “LGBT” kanë kërkuar mbështetjen e Avokatit të Popullit, Igli Totozani, pasi sipas tyre ata ndihen të diskriminuar në vendin tonë, ndonëse sipas tyre përbëjnë 10 % të popullsisë.

“Ne do të nisim një bashkëpunim me ambasadën, me një fokus të caktuar që është promovimi, respektimi, garantimi dhe përmirësimi i të drejtave të këtij komuniteti në Shqipëri. Ne kemi informacion se ka shkelje të natyrave të ndryshme, si keqtrajtime nga policia dhe deri tek ato që mund të duken si më të thjeshta, por që peshojnë rëndë, nga një fjalor i papërshtatshëm, qoftë nga organe dhe institucione shtetërore, që për mendimin tonë janë të papranueshme”, deklaroi Avokati i Popullit.

Totozani tha se së shpejti do të përgatitet një raport në lidhje me respektimin e të drejtave të këtij komuniteti sëbashku me rekomandime, i cili do të paraqitet në parlament.