Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 08:00

Sarandë – Krijimtaria letrare e tre poetëve të dalë nga radhët e uniformave blu të qytetit bregdetar u promovua sot në mesditë në ambientet e komisariatit të Policisë së Sarandës.

“Shpirti poetik i policit” ishte titulli i zgjedhur për veprimtarinë promovuese të tre poetëve të ardhur nga radhët e uniformave blu në qytetin e Sarandës.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe kryetari i klubit të krijuesve “Jonianë”, Bardhyl Maliqi, poetët Andrea Zarballa, Agim Mato, Timo Mërkuri, Kostandin Vogli, nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, etj.

Aktori dhe regjisori Anastas Nika deklamoi pjesë të zgjedhura nga krijimtaria më e arrirë e tre autorëve me uniformë, poetit Ilir Balili, fabulistit Ferit Lamaj dhe poetit e përkthyesit Dashamir Malo.

Ai e ka renditur këtë veprimtari si pjesë të projektit të qendrës kulturore Sarandë, për të shkuar artisti në komunitet.

Veprimtaria poetike kushtuar shpirtit poetik të policit u shoqërua nga sfondi muzikor që krijoi violina e Genti Xuxit dhe kitara e Eno Nikës.

Një notë më shumë i shtoi kësaj veprimtarie interpretimi i nxënësit me cilësi të spikatura aktoreske, Ani Çumani, djali i një ish- efektivi policie, i cili interpretoi monologun e njohur “Doni më për Belulin”.

Manifestimi poetik është kthyer në një diskutim krijues, në të cilin janë përfshirë jo vetëm poetë të pranishëm, por edhe kolegë me uniformë, të autorëve të vënë në qendër të promovimit të sotëm.