Lajme Shqip Saturday, 19 May 2012 11:58

Sarandë -Ndezja simbolike e dritave të farit dekorativ të qytetit, hedhja e notarëve në det nga trampolina dhe prerja e supertortësprej 2 metër katrorë nga Kryetari i bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, dhuratë për sezonin nga bar “Limani”, kanë qenë tre sinjalet e zyrtarizimit të një sezoni të mbarë.

“Stinën e turizmit tonë e kanë promovuar mbi 500 mijë turistë të huaj, që kanë bërë pjesë të gudiave të tyre turistike qytetin tonë”, tha në fjalën e vet përshëndetëse Çipa. “Ky qytet është ftues dhe tërheqës në çdo stinë, por ca më tepër në pranverë e në verë, e sidomos për të rinjtë e të rejat, të cilët bukurive natyrore, që gjejnë në Sarandë u shtojnë edhe bukurinë e moshës”, pohoi Çipa, duke shtuar se “këtë verë Saranda është përgatitur të lerë shumë mbrapa flukset e turistëve të një viti më parë, kur numri i tyre shkoi në gjysmë milionë turistë”.

Qytetarë të shumtë kanë parë se Saranda dje është zgjuar me veshje festive, duke nisur nga shëtitorja, tek plazhet e zgjeruar e të pasuruar me rërë, tek rrugët e pastra dhe në gjithë qytetin e bërë gati për të pritur miqtë e kësaj vere. Dita e promovimit të turizmit të verës 2012 ka nisur paraditen e 18 majit me përurimin e galerisë së re të artit, ku janë ekspozuar 72 punë në pikturë e skulpturë të katër autorëve më elitarë të Sarandës, si Niko Godroli, Vasil Kaçi, Lefter Çeko, Odise Papa e Spiro Shtuka.

Ndër të veçantat e kësaj dite ka qenë edhe përurimi i këndit të ri të lojërave në parkun “Miqësia”. Dita e çeljes së sezonit ka vijuar me spektakle artistikë e sportivë, si dhe me panair suveniresh e prodhime të traditës së artizanatit. Në festime kanë marrë pjesë edhe shefi i zyrës së OSBE në Gjirokastër, Milan Bito, konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Nikollaos Kotrokoi, konsulli i nderit i konsullatës italiane në Gjirokastër, Teodor Bilushi, nënprefekti Gjergji Mano, kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, kryetari i bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani, etj.

Në skenën e ngritur mbi rërën e Plazhit “Rinia” performuan deri në orët e para të mëngjesit një koncert rinor këngëtaret Maja, Silva Gunbardhi, Petrit Lulo dhe Jeta Faqolli. (LajmeShqip.com)