Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 13:18

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) bëri me dije se më datë 21 prill 2012, kërkuesit e saj, Aleksandër Trajçe  dhe Bledi Hoxha, mundën të sigurojnë foton e dytë të një rrëqebulli të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) në gjendje të egër në Shqipëri. Rrëqebulli është fotografuar me anë të pajisjeve kamera–kurth, më datë 28 mars 2012, në orën 08:33, në rajonin malor të Shqipërisë së veriut.

Duke qenë se edhe rrëqebulli i parë ballkanik u evidentua në Shqipëri më 21 Prill 2011 (saktësisht një vit më parë) në të njëjtën zonë, ekzistojnë mundësitë që një popullatë sado e vogël të jetë duke mbijetuar edhe në vendin tonë.

Rrëqebulli i Ballkanit është specie me rëndësi madhore për  ruajtjen e jetës së egër në Ballkan, dhe që nga viti 2006 PPNEA ka ndërmarr aktivitete të ndryshme për rimëkëmbjen e popullatës (Balkan Lynx Recovery Programme – www.catsg.org/balkanlynx) në  bashkëpunim me partnerë ndërkombëtar nga Zvicra, Gjermania, Maqedonia dhe Norvegjia. Aktualisht, puna në terren mbështetet nga Fondacioni Kombëtar Zvicerian i Shkencës (SNF) në kuadrin e programit SCOPES për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga të dhënat e grumbulluara deri më tani mendohej se popullata e rrëqebujve në Shqipëri mund të ishte zhdukur, ose, në rastin më të mirë, përbëhej vetëm disa individë kalimtarë me origjinë nga popullata e qëndrueshme në Maqedoni. Për më tepër, duke u mbështetur në të dhënat e mbledhura gjatë pesë viteve punë në terren të kryer nga PPNEA, përllogaritjet e hamendësuara se popullata e rrëqebujve mund të shkonte nga 15-20 individë duken tashmë tejet optimiste dhe të ekzagjeruara. Pjesa më e madhe e shenjave pozitive në këtë drejtim vijnë nga njohuria lokale e komuniteteve rurale dhe rrëqebujt e vrarë të cilët ruhen si trofe.

Ky lloj është i klasifikuar në Librin e Kuq në Shqipëri (Vendim nr. 146/2007, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave) me statusin CR (i rrezikuar në mënyrë kritike). Ky fakt është veçanërisht shqetësues pasi rrëqebulli i Ballkanit është një popullatë e veçantë dhe nënlloj më vete i Rrëqebullit Euroaziatik, që do të thotë se është gjenetikisht i ndryshëm nga popullatat e tjera të rrëqebujve në botë, dhe përfaqëson një trashëgimi natyrore unike në llojin e vet për Shqipërinë dhe rajonin.

Rrëqebulli i Ballkanit në Shqipëri mbrohet de jure që prej vitit 1969. Gjithashtu, gëzon mbrojtje ligjore nga konventa të ndryshme ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi tonë, të tilla si Konventa e Bernës dhe Konventa Ndërkombëtare për Tregtinë e Llojeve në Rrezik (CITES). Megjithatë në realitet, gjendja ngelet alarmante pasi faktet që mund të provojnë praninë e rrëqebullit të Ballkanit në territorin e Shqipërisë janë shumë të pakta. Individët e mbetur do të vazhdojnë të jenë në rrezik të vazhdueshëm nëse nuk merren masa të menjëhershme kundra gjuetisë së paligjshme dhe shkatërrimit të habitateve natyrore.

Gjithsesi, sipas kërkuese të PPNEA-s, mbas fotografimit të rrëqebullit të dytë ka më shumë arsye të shpresohet se mund të ketë ende një popullatë e vogël, e cila ka nevojë të menjëhershme për  marrjen e masave të ruajtjes së natyrës dhe vëmendjen e duhur.

Programi i Rimëkëmbjes së Rrëqebullit të Ballkanit është një nismë shumë-kombëtare, e  ndërmarrë nga Shoqata për Mbrojtjen dhe  Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA- www.ppnea.org) dhe Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (MES- www.mes.org.mk) në bashkëpunim me partnerët  ndërkombëtar KORA (www.kora.ch), Euronatur (www.euronatur.org) , Instituti Norvegjez për Kërkime Natyrore (www.nina.no) dhe IUCN/SSC Cat Specialist Group (www.catsg.org).