Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 15:54

Shtëpia në të cilën është rritur doajenia e Teatrit, Katarina Josipi, nuk do të hapë dyert për vizitorë të paktën deri vitin e ardhshëm. Sipas planifikimeve, objekti do të duhej të përurohej më 10 tetor në kuadër të manifestimit letrar “Takimet e Gjeçovit”, shkruan Koha Ditore.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kompanisë që ishte përzgjedhur me tenderin e tretë – pas disa dështimeve e përpjekjeve të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit për të kryer punimet në këtë objekt – nuk i ka mjaftuar gati një vit kohë për të finalizuar punën. Restaurimi i shtëpisë së aktores me nam, sipas projektit të hartuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren kishte nisur në nëntor të vitit të kaluar.

Për ta shpëtuar nga shkatërrimi këtë objekt, MKRS-ja kishte ndarë rreth 36 mijë euro. Projekti për restaurimin e shtëpisë. që ndodhet në Zym të Hasit, kishte nisur më shumë se tre vjet më parë, por realizimi qe shoqëruar me telashe të shumta