|
|
e Diel, 08 Korrik 2012 16:20 Prishtinë – Prizreni, qyteti më i madh jugor i Kosovës, është rikthyer në kryeqendrën e filmit me edicionin e 11-të të Festivalit Ndërkombëtar DokuFest, ku për nëntë ditë me radhë do të shfaqen 160 filma dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër.
Për maratonën e projeksioneve janë të hapura shtatë kinematë e festivalit, disa prej të cilave të improvizuara në Prizren, ku mes shumë vizitorëve pritet të mbërrijnë edhe mbi 200 artistë vendas dhe të huaj. Ceremonia e hapjes së Festivalit të shtunën në mbrëmje, në Kino Lumëbardhi, nisi me shfaqjen e filmit “5 Broken Cameras” të regjisorëve Emad Bornat dhe Guy Davidi.
Në të të njëjtën kohë, tre kinema të tjera iu bashkuan festës me prezantimin e produksioneve pjesëmarrëse në këtë edicion. Në kinemanë mbi Lumë u shfaq filmi “Chasing Ice”, ndërsa në Kino Kalaja u shfaq filmi “Only the Young” i regjisorëve Jason Tippet, Elizabeth Mims. Kinemaja e re, Kino Europa nisi “jetën” me këtë edicion të DokuFest, ku u shfaq filmi i regjosores Anca Damian Rumuni, Crulic “The path to beyond”.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, mysafirë dhe artistë nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar, çdo verë, qytetin historik të Prizrenit në një kryeqendër botërore të kulturës.
Pjesë e atmosferës kulturore dhe artistike në qytetin e lashtë prej sot në mbrëmje deri në 13 korrik do jetë edhe Panairi i Librit “Prizreni 2012″, në një ambient të hapur afër Shadërvanit, me pjesëmarrjen e shtëpive botuese dhe personaliteteve të njohura të penës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja dhe Turqia. (LajmeShqip.com)