|
|
e Hënë, 16 Korrik 2012 12:58 Prishtinë – Në Prizren u mbyll edicioni i 11-të i festivalit ndërkombëtar DokuFest, në të cilin për nëntë ditë u shfaqën 160 filme dokumentarë dhe të shkurtër.
Në ceremoninë e zhvilluar gjatë pasditës së djeshme, ministri i Kulturës i Kosovës, Memli Krasniqi, përgëzoi organizatorët për suksesin, duke theksuar që DokuFest bëri që “Prizreni të jetë në hartën e evenimenteve më të rëndsishme kulturore jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë”.
Juritë e DokuFest kanë përzgjedhur nëntë fitues çmimesh, kurse janë ndarë çmime speciale edhe për pesë regjisorë të tjerë. Gjatë ceremonisë u bë e ditur se dokumentari më i mirë i Ballkanit është shpallur filmi “Sofia’s Last Ambulante”, i autorit Ilian Metev nga Bullgaria, dokumentar më i mirë i gjatë është shpallur “Tea or Electricity” i Jerome le Mairenga nga Belgjika, “Platforma Luna” e Jury Ancaranit ka marrë mirënjohje të veçantë, dokumentari ndërkombëtar më i mirë i shkurtër është përzgjedhur “Sack Barrow, i Ben Rivers” nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas vlerësimit, të drejtat e njeriut janë pasqyruar më së miri në filmin “Call me Kuchu”, i Katherine Fairfax Wright dhe Malika Zouhali-Worall, nga SHBA-ja. “Just Do It – A Tale of Modern Day Outlaws”, i regjisores britanike Emily James, është përzgjedhur dokumentari më i mirë për mjedisin, filmi më i mirë i shkurtër është shpallur “Could See a Puma” i Eduardo Williams nga Argjentina, ndërsa “Silent” i Rezan Jesilbasit nga Turqia ka marrë çmimin e veçantë të jurisë. Gregorz Jaroszuk nga Polonia dhe Jane Gull nga Britania e Madhe kanë marrë mirënjohje të veçanta.
Filmi më i mirë në garën kombëtare është shpallur “Matanë Lumit”, i Sabir Kanaqit nga Shqipëria, kurse “Dita e fundit e Loro Shestanit”, i regjisorit Sokol Keraj ka fituar çmimin e publikut. Prurja më e mirë e re ballkanike është zgjedhur “Nije ti zivot pjesma Havaja”, i autores Dana Budisavlevic nga Kroacia.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, si dhe mysafirësh dhe artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik kosovar të Prizrenit në një kryeqytet botëror të kulturës çdo verë. (LajmeShqip.com)