Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 17:19

Prishtinë – “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” është libri më i shitur në edicionin e sivjetmë të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë. Rrëfimi i shkrirë në libër, i cili tregon jetën e Bekim Fehmiut prej kujtimit të parë në Sarajevë (ku kishte lindur më 1 qershor të vitit 1936), e deri në audicionin për t’u pranuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ku do të niste rrugën drejt fames, ka zgjuar kureshtjen e madhe te vizitorët, që kanë frekuentuar Panairin që nga dita e tretë e këtij muaji.

Për vetëm tri ditë janë shitur më se 250 kopje të këtij libri, i cili është njëri nga 16 titujt e rinj me të cilët Botimet KOHA është prezantuar në Panairin e Librit.

Besian Zeneli, një nga organizatorët e Panairit të 13-të Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë, ka thënë se “E shkëlqyeshme…” s’ka konkurrencë.

“Ndër kryetitujt që janë spikatur ka qenë libri i Bekim Fehmiut, i cili është pritur jashtëzakonisht shumë mirë. Pa pikë dyshimi është libri më i shitur, sepse e kam parë vetë që çdo i dyti ka dalë nga panairi me këtë libër”, ka thënë Zeneli. Por jo vetëm kaq. Romani autobiografik i sjellë për herë të parë në shqip, pas botimit të tij në serbisht më 2004, ka zgjuar debat.

Por kërkesat për librin e aktorit me nam, i cili u vetëvra më 15 qershor të vitit të kaluar, kanë vërshuar para se ai të dilte në treg.

“Libri është kërkuar disa ditë para Panairit, kur ka dalë lajmi. Ka qenë një lajm që i ka gëzuar shumë lexuesit, sepse dihet kush është Bekim Fehmiu dhe vdekja e tij e riaktualizoi edhe një herë më shumë emrin e tij”, ka shtuar Zeneli. Pikërisht vdekja e tij, në nëntor të vitit të kaluar, në Panairin e 55-të të Librit në Serbi e riktheu këtë libër në listën e më të shiturve. Atje u ribotua gjashtë vjet pas botimit të parë.

Në librin “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” të Bekim Fehmiut, siç shkruan në parathënie Bardh Rugova, redaktori i botimit në shqip, ka thjeshtësi. Ai është rrëfim “që të bën ta përjetosh dhembjen e goditjes dhe dhimbjen e emocionit”.

“Një përfytyrim i rrugëve ku fëmijët lozin apo një pamje e një personi në berberhane”, shkruan Rugova në parathënie.