Lajme Shqip e Premte, 19 Tetor 2012 10:15

Tiranë - Juria shqiptare e konkursit të përvitshëm letrar ndërballkanik “Balkanika”  përzgjodhi shkrimtarin Preç Zogaj si kandidatin shqiptar për këtë çmim.

Vepra e botuar në vitin 2011 “Ngjarje në tokë” e Zogajt u përzgjodh për t’u paraqitur pranë jurisë ndërkombëtare të këtij çmimi. Juria shqiptare e “Balkanika” përbëhet nga kryetari Jorgo Bulo, Ali Aliu, Piro Misha, Diana Çuli dhe Virgjil Muçi.

“Balkanika sivjet do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, në fillim të muajit nëntor, ku do të shpallet edhe shkrimtari më i mirë i Ballkanit.

Preç Zogaj, kandidati nga Shqipëria për çmimin “Balkanika” është një prej poetëve dhe shkrimtarëve më të spikatur të gjeneratës së viteve tetëdhjetë, me një vepër sa të konsoliduar, aq edhe në vazhdim, kryesisht në poezi, por edhe në prozë dhe në gjininë e esesë.

Ardhja e Zogajt në letërsinë shqipe u prit si një risi nga botuesit, shkrimtarët, kritikët dhe lexuesit e poezisë qëkurse botoi vëllimin e parë poetik, “Emrat tuaj” në vitin 1985. Më pas, ai ka botuar vëllimet “E Pakryer”, “A thua do të vish duke qeshur”, “Qielli i gjithkujt”, “Këmbësor në qiell”, “Kalimi”, “Pas erës së re”, “Gjallë unë pashë”, “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, duke ruajtur e zhvilluar nga libri në libër tiparet e origjinalitetit të tij poetik, vizionet e hapura, aftësinë abstraguese nëpërmjet konkretësisë së elementeve shprehës, ndjeshmërinë e veçantë, muzikalitetin, finesën, elegancën e vargut e tjerë.

Nga konkursi ku fitues doli Zogaj ishin edhe shkrimtarët Agron Tufa, Arben Dedja, Arben Shehi, Ardian Vehbiu, Arjan Leka, Bashkim Shehu, Bardhyl Londo, Ben Blushi, Diana Çuli, Ermir Nika, Moikom Zeqo dhe Ridvan Dibra. Vitin e kaluar, Shqipëria u përfaqësua në “Balkanika” nga Mira Meksi me librin “E kuqja e demave”.(LajmeShqip.com)