Lajme Shqip Tuesday, 20 October 2015 16:55

Edicionin e 67-të të Panairit të Librit në Frankfurt organizatorët e kanë cilësuar si më të “suksesshmin ndër vite”. Drejtori i këtij evenimenti, Jürgen Boos, ka thënë se 276 mijë njerëz e kanë vizituar panairin këtë vit, që është 2 për qind më shumë sesa në vitin 2014.

Organizatorët kanë thënë se pjesëmarrja është rritur për 4 për qind gjatë fundjavës, kur panairi kishte hapur dyert për publik, pas tri ditëve që i janë kushtuar ekskluzivisht gazetarëve dhe njerëzve të brendshëm të industrisë së botimeve, transmeton DW.

Evenimenti është mbyllur të dielën pasdite, kur është ndarë edhe “Çmimi i paqes”, të cilin e ka marrë shkrimtari dhe eksperti gjerman i çështjeve të islamit, Navid Kermani.

“Çmimi ka shkruar në duart e atij që ka dhënë kontribut për mirëkuptim midis religjioneve dhe krijimin e një shoqërie të hapur evropiane. Zëri i tij është i fuqishëm”, thuhet në arsyetimin e Shoqatës së Botuesve të Gjermanisë, e cila e ndan këtë çmim.

“Shkrimtarët, gazetarët dhe organizatat joqeveritare luftojnë për qëllime të njëjta dhe kjo shumësi zërash është fuqi në luftën kundër ndezjes së nacionalizmit dhe zbehjes së solidaritetit”, ka thënë laureati i këtij çmimi.

Heinrich Riethmüller, drejtor i Asociacionit Gjerman të Botuesve dhe Librashitësve, ka kujtuar se organizatorët i kishin dhënë ngjyrime politike edicionit të sivjetmë të panairit të librit “duke marrë një pozicion të qartë për lirinë e shprehjes dhe të botimeve”. Për shembull, ata e kishin ftuar Salman Rushdien të mbante fjalimin kryesor.

Panairi po ashtu ka ofruar vizita falas për refugjatët gjatë fundjavës dhe kishte organizuar vizita të veçanta me ciceronë që flisnin gjuhën e tyre.

Gjatë prezantimit të tij të së shtunës, shkrimtari sirian Rafik Schami kishte vlerësuar ndihmën dhe solidarizimin e popullsisë gjermane me refugjatët, por kishte kritikuar Qeverinë gjermane për mungesë të konceptit sa i përket angazhimit të përballjes me krizën aktuale. Megjithatë, Panairi i Librit nuk kishte të bënte vetëm me politikën. Mes yjeve më të popullarizuara që morën pjesë aty ishin shkrimtarja bestsellere Charlotte Link dhe autorja e njohur e emisioneve televizive Daniela Katzenberger, që prezantoi librin e saj “A Bimbo Becomes a Mummy”. Edhe ata që kishin veshur kostumet e personazheve të tyre të preferuara të stripeve komike në Japoni ia shtuan ngjyrën turmës së madhe që vizitoi Panairin në fundjavë.