Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 13:57

Me talent dhe dëshirë gjithçka mund të arrijmë! Ky është rasti i Defrimit, djalit nga Rahoveci i cili e do shumë vizatimin dhe pikturën dhe vetëm nga dëshira është mësuar të bëjë vizatime të mrekullueshme.

Defrim Jupa është shumë i talentuar dhe kjo mund të vërehet në detajet e vizatimeve të tij dhe kjo menjëherë mund të ju bëjë të mendoni se ai është në shkollë të arteve.

Por jo, Defrimi tregon për lajmi.net se ai që nga mosha 8 vjeçare ka filluar të vizatojë. Ai është student në fakultetin e Anglishtes por që nga atëherë vizatimin nuk e ka ndalur.

Pa ndjekur ndonjë kurs apo diçka të tillë, ai vetë ka provuar gjithçka derisa ka arritur në teknikën e lapsit e me brushë të thatë, e cila edhe i pëlqen më së shumti, shkruan lajmi.net.

Me kohë ai thotë se vizatimet e tij janë përmirësuar dukshëm, por ende çdo ditë provon të mësojë diçka të re dhe të perfeksionojë vizatimet e tij.

Atij kryesisht i pëlqen të vizatojë portrete, gjë që edhe shihet pasi në koleksionin e punimeve të tij shihen portrete të të famshmëve tanë dhe personazheve të famshme.

Defrimi e ka në plan të vazhdojë me punime të vip-ave të tjerë edhe me ngjyra, por për momentin lapsi i pëlqen më së shumti.

Përveç portreteve, artisti bën edhe punime tjera me teknikën e tij të preferuar të cilat janë të detajuara shumë bukur dhe janë vërtetë mbresëlënëse.

Punën e Defrimit mund ta ndiqni edhe në Instagramin e tij, ku prezanton punimet që dita ditës po i perfeksionon.