Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 19:24

Prishtinë – Me gjithë vështirësitë e shumta financiare, fondacioni muzikor “Ars Kosova” edhe këtë vit do të mbajë garat ndërkombëtare të muzikës klasike për muzikantët e rinj. Rreth njëqind instrumentistë të rinj nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, duke nisur nga sot për tri ditë radhazi do të garojnë për çmimet e edicionit të tetë të kësaj gare. “Lufta” e muzikantëve të rinj do të zhvillohet në tetë disiplina muzikore, duke përfshirë piano, violinë, violë, violonçel, flaut, klarinetë, kitarë dhe solo këndim.

Garat e muzikantëve të rinj “Ars Kosova” do të finalizohen të hënën mbrëma, me shpalljen e fituesve.

Organizatorja e këtyre garave, violinistja Sihana Badivuku, ka thënë se për shkak të mospërkrahjes nga ana institucionale këto gara kanë qenë në pikëpyetje deri në momentet e fundit.

“Por falë stafit i cili është organizuar pa kompensim vendosëm që edhe këtë vit ta organizojmë këtë projekt me rëndësi”, ka thënë Badivuku. Sipas saj edhe pse gara do të nisë sot, ende nuk dihet numri i çmimeve që do të ndahen. Kjo ngase organizatorët janë në pritje të përkrahjes nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Mexosopranoja Merita Juniku, e cila është anëtare e jurisë për solo këndim, ka thënë se ky aktivitet stimulon të rinjtë të merren me artin klasik të cilët janë përhapur në zhanre tjera pa ardhmëri.

“Është orientimi më i mirë për të rinjtë e Kosovës”, ka thënë Juniku.

Në kuadër të këtyre garave do të organizohet edhe koncerti i duetit Dorina Laro dhe Kristina Laço nga Shqipëria dhe recitali i Meri Kafkaleva – Stoilkova nga Maqedonia.