Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 16:56

Tirana International Film Festival ka çelur mbrëmë edicionin e 13-të me premierën e filmit të shumëpërfolur, “Burrneshat”, me regji të Laura Bispuri.

Ceremonia e hapjes u realizua në ambientet e Kinema Millenium, duke mbledhur bashkë personalitete nga bota e artit, kulturës dhe politikës.

Në edicionin e sivjetshëm të Festivalit të Filmit janë plot 111 filma pjesëmarrës, që përpara se të transmetohen në Shqipëri, kanë prekur kinematë dhe publikun e disa vendeve të tjera si Kana, Berlini, Venecia apo Karlovi Vari.

Drejtori i Festivalit, Agron Domi, Ministrja e kulturës Mirela Kumbaro dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, mbajtën shkurtimisht fjalën në ceremoni dhe e konsideruan këtë event si një ndikim shumë të rëndësishëm për zhvillimin kulturor të kryeqytetit.

Tirana International Film Festival është renditur mes 102 festivaleve më të rëndësishme botërore për vitet 2015-2016.

Filmi “Burrneshat” është i mbështetur në romanin “Hana” të Elvira Dones, dhe flet për Hana Dodën, që braktis fatin e saj në një moshë fare të re për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, ashtu si të gjitha gratë në malet e ashpra të Shqipërisë.

 

Hana ndjek udhëzimet e ungjit të saj, i bindet ligjit të vjetër të Kanunit, i cili i jep grave mundësinë për të jetuar të lira si burrat dhe për të pasur një pushkë, duke marrë në këmbim betimin e virgjërisë të përjetshme.

Me disa premiera nëpër botë dhe pjesëmarrje në shumë festivale, “Burrneshat” është film me shumë çmime ndërkombëtare.

“Fundi i një pune të gjatë kurorëzohet sot në çeljen e TIFF 2015”, u shpreh drejtori i Festivalit, Agron Domi ne hapje të siparit së njërit prej aktiviteteve kulturore të kryeqytetit, i cili tashmë është rikthyer në një tradite.

“Ministria e Kulturës mbështet për të dytin vit rradhazi këtë aktivitet, jo vetëm për produktin që ai sjell, por edhe rëndësinë që ai ka dhe atmosferën që i jep kryeqytetit”, u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në fjalën e saj.

“TIFF i shton vlera qytetit tonë dhe ky eveniment prezanton, i jep dhe i shton rëndësinë jo vetëm filmit tonë, por edhe atij që vjen nga rajoni dhe bota”, theksoi Nenkryetari i Bashkisë se Tiranës, Arbër Mazniku, i cili ftoi qytetarët e Tiranës të bëhen pjesë e kësaj ngjarje dhe të argëtohen.

Mjaft e emocionuar ishte dhe regjisorja e filmit “Burrnesha”, Laura Bispuri, e cila pasi ftoi dhe prezantoi kastën dhe stafin e filmit të merrnin durtrokitjet e sallës, ndau me sallën e tejmbushur emocionet që ka përjetuar rrugëtimi i suksesshëm i veprës së saj.

“Më në fund erdhi kjo ditë që “Burrnesha” të vijë në Shqipëri dhe bashkë me të të rikthehem edhe unë në vendin që pasi qëndrova 3 vjet, u dashurova me të”, u shpreh regjisorja Bispuri.

“U apasionova, studiova dhe pasi u dashurova me vendin dhe njerëzit, rikthehem dhe sjell me vete edhe filmin në Shqipëri, pasi e kam shfaqur në Afrikë, Kinë, Francë, Amerikë .Uroj dhe shpresoj t’ju pëlqejë”, u shpreh e emocionuar Laura Bispuri gjatë fjalës së saj para publikut të shumtë dhe kurioz shqiptar.