Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 15:12

Tiranë – “Një mur xhami që ia kemi ngritur vetvetes nuk na lejon ta trajtojmë shkrimtarin kosovar Anton Pashku, si pasuri tonën shpirtërore”. Kështu thotë studiuesi Behar Gjoka, i cili i ka kushtuar një libër studimor një prej përfaqësuesve kryesorë të letërsisë moderne shqipe. Sipas Gjokës fatkeqësisht Pashku prej vitesh nuk është pjesë e programeve tona mësimore dhe kjo për arsyen se ai ende trajtohet si një shkrimtar i “jashtëkufijve”.

Jeni duke përfunduar një libër studimor mbi veprën e Anton Pashkut, përpara se te flasim për këtë vepër, pyetja që lind natyrshëm është: sa e njohin shqiptarët Pashkun?

Anton Pashku, në kuptimin estetik, është një vlerë e shtuar e modernitetit të letrave shqipe, pa mëdyshje një nga përvojat e shkrimit letrar të periudhës bashkëkohore, është shumë i njohur në Kosovë dhe trojet etnike, madje shpesh trajtohet si magjistar i fjalës. Nga ana tjetër, krijimtaria e larushisë letrare të Pashkut është jo pak e njohur në diasporë, porse është i njohur më shumë si emër në Shqipëri, në kuptimin që ende nuk është hipotekuar si vlerë shpirtërore, për shkak të murit prej xhami që ia kemi ngritur vetvetes, fill pasi kemi shembur muret e betonta të dikurshme, ose me gjasë të vijimit të leximit të autorëve shqiptarë të trojeve etnike, si letërsi jashtë kufijve, sepse rrethanat e favorshme të komunikimit, mjerisht na kanë sjellë në portat e mungesës absurde të tij.

Sa i pranishëm është në tekstet shkollore shqiptare?

Ka dy pamje të pranisë së veprës letrare, aq të vlertë dhe moderne, nëse në Kosovë është plotësisht i pranishëm, madje në të gjitha nivelet e shkollimit të saj, si një vlerë dhe proces thelbësor i shkrimit letrar, nga ana tjetër, ndërsa në Shqipëri duket si emër për herë të parë aty nga fillimi i viteve ’90. Porse, tanimë ka një periudhë të gjatë kohore, që nuk është përfshirë më në programet shkollore të shkollës shqiptare, të këndej kufirit. Dhe, në këtë pikëpamje, ka një paradoks të rrokshëm, ndërsa rrekemi të unifikojmë abetaret dhe librat shkollorë, letërsinë e vërejmë ende me syzet e letërsisë së jashtë kufijve…

Le të vijmë te vepra juaj, pse një libër për Pashkun?

Është shkrimtar që e pëlqej, madje në të gjithë treguesit e vet, të thënies dhe artikulimit letrar, të lëvrimit gjuhësisht, të njëkohshëm të variantit të gegnishtes dhe të gjuhës së njësuar, e sidomos të vendosjes së ligjërimit të gjuhës shqipe në koherencë me ligjërimin letrar të përbotshëm, veçmas në shkrimin e tragjedive moderne. Pashku, pa mëdyshje gjenia krijuese e tij, është një vlerë e konfirmuar e letrave shqipe, aq sa është tepër e vështirë që të rrëfehet, po kaq mbetet një nga modelet e përsosura në lavrimin e prozës së shkurtër. Në sendërtimin e tregimit, të natyrës fantastike, një përcaktim autorial, gjithnjë sipas shijes dhe bindjes sime, Pashku është një nga përvojat më të vyera, që së bashku me Kutelin dhe Koliqin, të cilët hodhën themelet e prozëshkrimit të gjuhës shqipe, përbëjnë kurorën e trinitetit të tregimtarisë shqipe, që e futën prozën shqipe në shtjellat e lavrimit modern, por njëherazi shënojnë edhe kulme unike të shkrimit të saj.

Pashku nuk është një autor “i thjeshtë”, veprës së tij duhet t’i rikthehesh vazhdimisht, cila është “e fshehta” apo “misteri” i krijimtarisë së Pashkut?

Për mua është autori më i vështirë, krahasuar me të gjithë shkrimtarët me të cilët jam marrë kësaj ndërkohje, për shkak se është nga të paktët shkrimtarë të letërsisë shqipe që nuk ka gjasa të gjesh në përgjumje dhe shërbesë joletrare… Po kaq, vepra letrare e Pashkut nuk të jep dorë për ta lexuar sipas optikave ideologjike, sociologjike apo monografike, të ndërthurjes jetëshkrimore dhe letrare, të rrafsheve mendjembyllura të akademizmit shqiptar, sidomos të këndej kufirit, pra duhet lexuar dhe shqyrtuar si tekst dhe vetëm si hapësirë tesktologjike, gjithnjë pa harruar porosinë e Umberto Eco-s, mbi “hapësirat e shprazta”, që duhen mbushur nga bashkëpunimi i lexuesit. Duke qenë i vështirë, mbase prandaj është edhe kaq tërheqës… Ka tregime të ndryshme, si dhe dy tekstet e tragjedive që janë lexuar disa herë, kohë pas kohe… Në fakt, krijimtaria letrare e Pashkut, në vetvete dhe më përtej saj, bart jo pak mister dhe enigma, që duhen zbuluar ngadalë dhe me shumë përqendrim. Do të ndalesha në dy prej tyre, të cilat mua më duken edhe më thelbësoret, por edhe sa për të krijuar një ide fillestare mbi këtë dukuri unike të letrave shqipe. Së pari, dramatikën e ka emërtuar tragjedi moderne, si një rimarrje dhe riformulim, që sugjeron kodin, por edhe e ndërlikon shkrimin e leximin e saj. Po kaq, së dyti, prozën e shkurtër, e cila jo rastësisht është përcaktuar nga vetë shkrimtari si tregime fantastike. Ka edhe të tjera, por vetëm zbërthimi i këtyre dy hallkave është një realitet që, sa herë lexohen tekstet e autorit, aq herë zbulohet si magji shkrimi, aq herë do të duhet të rihysh në marrëdhënie me kodet dhe dekodimin e tyre.

Është i keqkuptuar Pashku?

Ka më shumë arsye për të qenë i pakeqkuptuar, sepse moderniteti shkrimor, në prozëshkrim dhe në dramatikë, në një farë mase ka projektuar dhe skicuar hapësirat dhe natyrën moderne, ku edhe po gjallojmë. Por, edhe në këtë rast, për çudinë e çudive, sërish nuk mungojnë shkaqet për të qenë i keqkuptuar, pra dhe jo i hipotekuar në vlerat letrare të rrafshit të bashkëkohësisë. Në emërtimin si i keqkuptuar, do të thosha se ka jo pak mundësi që të trajtohet si i tillë, jo se ka arsye letrare të mjafta për të qenë i keqkuptuar, në këtë paragjykim. Kanë rolin e vet ligjërimi i gegnishtes, në një pjesë të madhe të tregimeve fantastike, ndeshim në praktikën e shkrimit me dy variante, pra edhe në gjuhën e njësuar, duke u bërë kufiri ndarës dhe ura ndërlidhëse e hapësirës së letërsisë si gjuhë e autorit, që nuk është se ka të bëjë shumë me standardizimin e saj, po kaq shkrimi letrar, pavarësisht gjinisë dhe llojit letrar të ligjëruar, si një fakturë moderne dhe eksperimentale, përbën një shkas fiktiv, për ta keqkuptuar, aq më tepër që në një moment të caktuar ai ka dalë hapur kundër modelit të realizmit socialist, e prandaj duket se kundrohet si përfaqësues i letërsisë së jashtë kufijve, një absurditet që nuk ka mundësi të zgjatet pafundësisht.(BW/LajmeShqip.com)