Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:29

Në të janë përfshirë rrëfime të nënave, grave dhe vajzave shqiptare që janë përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, fakte të dokumentuara për ngjarjet gjatë asaj periudhe.

Libri “Krimi dhe Përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, është një histori e dokumentuar, që pasqyron gjithë tragjedinë dhe vuajtjet gjatë asaj periudhe.

Ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se autorja Naxhije ka bërë një pasqyrim te drejtë, të plotë dhe shumë real të atyre ngjarjeve. Ai tha se historia e Kosovës është krenare dhe e gjithë shoqëria duhet t’i pranojë ato nëna, gra e vajza si të barabarta me shoqërinë dhe si një rezistencë të plotë që kanë luftuar për liri.

Redaktori i librit, Sali Bashota, tha se ky libër dëshmon një rrëfim autentik që saktësohet me personazhe konkrete. Lexuesi do të ndjejë një dhembje të pafund për fatin e shumë familjeve, nënave dhe bijave, që janë përballur me përdhunimin, tha Bashota.

Autorja e librit Naxhije Doçi, foli për vështirësitë që ka hasur gjatë punës së saj për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave.

Autorja ka filluar të mbledhë shënimet në terren gjatë viteve 1997-98, kur edhe bëheshin ofensiva të tmerrshme serbe në tërë Kosovën. Rrëfimet e femrave në këtë libër flasin për ngjarje të tmerrshme reale, që ato i kanë parë dhe i kanë përjetuar mbi vete dhe mbi krijesat më të dashura të tyre. Personazhet femra në këtë libër janë të moshave të ndryshme, ndërsa rastet që ato tregojnë janë rrëqethëse. Botimi i këtij libri është mbështetur nga Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës.