Lajme Shqip Sunday, 26 July 2015 12:11

 “Shtëpia në shitje” është mbishkrimi që bashkë me një numër fiks telefoni, është vendosur në derën e vogël prej metali. E mbyllur, e ndryshkur dhe e dëmtuar dukshëm, ajo i përket rrethojës që bashkë me murin “fshehin” një monument.

Është shtëpia e Shaban Agës, tregtarit të njohur të Drenicës, që e ndërtoi këtë objekt banimi në qytetin e Vushtrrisë, këtu e më shumë se 100 vjet më parë. Tash, në pjesën më të madhe të saj nuk jeton askush, shkruan sot “Koha Ditore”.

Lemane Haxhiu është njëra nga trashëgimtaret. Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet shtëpia, ajo është detyruar ta braktisë e të dalë në një banesë me qira. Pjesa tjetër e trashëgimtarëve, jeton në një pjesë të shtëpisë. Ministria e Kulturës synon që me 20 mijë euro ta restaurojë këtë objekt të moçëm, si masë preventive ndaj shkatërrimit të mëtejmë. E njëjta e mbron me ligj, si objekt të trashëguar nga e kaluara.

Shtëpia dykatëshe, me çardak të mbyllur është tejet e dëmtuar. Me oborr që shtrihet në një hapësirë të madhe, ajo ndodhet në bërthamën e vjetër të qytetit të Vushtrrisë.

Më shumë se një shekull histori

Historinë për shtëpinë monumentale e ruan Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, mbi të cilën bie barra e ruajtjes së këtij objekti. Në raportin e saj për këtë shtëpi, shkruan se i takon ndërtimit të viteve të fundit të shekullit XIX ose fillimit të shekullit XX. Aty thuhet se ajo u ndërtua nga vetë pronari Shaban Haxhi Aga, i cili ishte një tregtar i pasur i kohës.

“Shaban Aga ishte nga Makërmali i Drenicës, i cili u vendos në Vushtrri dhe kishte prona të mëdha bregut të lumit Sitnica”, thuhet në këto shënime të QRTK-së. “Monumenti është i ndërtuar në pjesën perëndimore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë, në afërsi të shtëpisë së Mahmut Pashë Gjinollit, dhe tani gjendet në një pjesë gati qendrore të qytetit”, thuhet më tej.

Ekspertët e këtij institucioni thonë se kjo shtëpi në Vushtrri ka mbetur shtëpi unike, për sa i përket stilit të saj të ndërtimit. E Shaban Haxhi Aga, kishte edhe mullinj në breg të lumit Sitnica. Aty gjithashtu ishte kopshti me pemë e perime.

“Ky mulli ka ekzistuar deri në vitet e ‘60 të shekullit të kaluar”, thuhet në raport.

Sipas të njëjtit raport, kjo shtëpi shquhet me arkitekturë popullore me elemente dekoruese gjeometrike, sidomos në dekorimet e dyerve ku në disa raste paraqitet figura e diellit.

“Shtëpia e Shaban Haxhiut është një shtëpi zotërinjsh, e punuar me një stil dhe arkitekturë të njohur, me oborr, me rrethojë, mur tradicional nga qerpiçët dhe i mbuluar me qeramidhe, me dritare të mëdha, me një arkitekturë qytetare dhe me një rëndësi të jashtëzakonshme kulturo-historike e arkitektonike. Është monument unikat i arkitekturës popullore qytetare”, thuhet aty.

Godina është e ndërtuar në themele prej gurësh, me mur nga qerpiçi, hatulla e tulla. Ajo ka shumë dritare. Dekorime ka edhe brenda.(koha.net)