Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 11:08

Mitrovicë – Sheshi “Shemsi Ahmeti” i qytetit të Mitrovicës, për gjashtë ditë radhazi, do të jetë nikoqir i Panairit Etnokulturor. Aktiviteti i cili organizohet për herë të parë, do të bashkojë biznese e organizata të cilat synojnë të promovojnë vlerat e trashëgimisë shpirtërore e materiale.

Panairi Etnokulturor është iniciuar nga organizata kulturore “7 Arte” dhe organizohet në kuadër të “Ditët e Kulturës” në Mitrovicë. Nora Prekazi, koordinatore e këtij aktiviteti, ka thënë se një panair i këtij lloji organizohet për herë të parë në Mitrovicë.

“Qëllimi i panairit është të promovohen vlerat e artizanateve të ndryshme që kultivohen në regjionin e Mitrovicës”, ka thënë Prekazi.

“Përmes tij synojmë të nxisim zhvillimin kulturor dhe stimulimin e bizneseve të vjetra e të reja të cilat nuk kanë pasur rastin e mjaftueshëm për t’u promovuar”, ka thënë ajo. “Panairi po ashtu ka për qëllim të promovojë krijimtarinë e bizneseve të vogla e organizatave që merren me punë dore, e zeje tjera tradicionale”, ka shtuar Prekazi. Ajo ka folur edhe për pjesëmarrësit e panairit, i cili do të hapet më 20 të këtij muaji.

Lulzim Hoti, udhëheqës i organizatës kulturore “7 Arte”, ka thënë se panairi do t’u dedikohet edhe mërgimtarëve.

“Qytetarët mitrovicas si dhe mërgimtarët që kalojnë pushimet verore në Kosovë kanë nevojë të ballafaqohen edhe me vlerat shpirtërore të popullit, të cilat janë kultivuar dhe vazhdojnë të kultivohen pa pasur rast të ekspozohen në masë, kështu që ky panair do t’i vërë në pah vlerat shpirtërore dhe do të gërshetohet me vlerat materiale për çka kanë nevojë edhe vetë kultivuesit e këtyre mjeshtërive”, ka thënë Hoti.

Panairi Etnokulturor ka rrjedhur si ide nga organizata kulturore “7 Arte” dhe ka gjetur mbështetje nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Mitrovicës.