Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 17:00

Tiranë – Dëshmi e të mbijetuarve, dokumente sekrete të arkivave jugosllave, shqiptare dhe angleze, citime dhe radiograme të dërguara nga dy anët e kufirit si dhe retiçenca mbi librin e fundmë të Uran Butkës, kanë hedhur dritë mbi faktet e ndodhura gati 67 vite më parë, në të quajturën “Masakra e Tivarit”, ku më se 3000 meshkuj shqiptarë të Kosovës u ekzekutuan nën alibinë e dezertimit.

Në një simpozium të mbajtur për herë të parë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në një panel ku qenë mbledhur anëtarë të Akademisë, shkrimtarë, studiues si dhe të ftuar të tjerë, u diskutua gjerësisht, përmes fakteve arkivore, mbi këtë masakër të pashoqe të partizanëve jugosllavë dhe alibisë së kuadrove të lartë shqiptare të LANÇ-it.

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, në një sintezë të librit të historianit Uran Butka, tha se “bëhet fjalë për një spastrim të kujdesshëm, i kryer në bashkëpunim me partizanët shqiptarë”.

Sipas Gurakuqit, tragjedia e Masakrës së Tivarit, përbën një spastrim mashkullor të pastër, të kryer nga Brigada e X-të e partizanëve jugosllavë nga Kukësi në Shkodër dhe nga qyteti i Shkodrës në Ulqin, nga 24 mars 1945 – Prill 1945, në brendësi të territorit shqiptar, në bashkëpunim me Divizionin e V-të të partizanëve shqiptarë, të drejtuar nga Ramiz Alia.

Në një intervistë të disa kohëve më parë, ish-presidenti Ramiz Alia e hodhi poshtë këtë fakt, duke theksuar se nuk kishte dijeni.

Sipas Gurakuqit, ky mohim i Ramiz Alisë hidhet poshtë nga radiogramet dhe raportet e mbajtura nga LANÇ, ku ishin në dijeni edhe drejtuesit e lartë të Divizionit të V-të dhe të VI-të shqiptar.

Gurakuqi përmendi në sintezën e tij ndër të tjera se “gjithçka u parapri me arrestimin e Gani Kryeziut”, ndërsa ngriti idenë e hetimit të kësaj ngjarjeje sot e kësaj dite nga pala malazeze, për implikimin e Brigadës së X-të malazeze, por edhe për një masakër të kryer brenda territorit të kësaj republike, për të gjetur varret e atyre që nuk i mbijetuan kësaj masakre.

Shkrimtari dhe autori i shumë librave, Agron Tufa, theksoi në fjalën e tij se kjo masakër u la me gjak në emër të vëllazërim-bashkimit.

“Një gardërobë e tërë hipokrizie”, e cilësoi Tufa gjithë këtë masakër dhe faktet historike që u fshehën pas kësaj tragjedie mbarëshqiptare.

Masakra e Tivarit

Masakra e Tivarit u bë ndaj të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, të Malit të Zi dhe gjatë rrugës për në Tivar, në brendësi të territorit administrative shqiptar. Numri i të vrarëve në këtë masakër, varësisht prej burimeve, sillet nga 1700-4300 vetë.

Në librin e autorit Uran Butka, “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, historiani, sjell një sërë dokumentesh, që jo vetëm mbajnë firmën e Alisë, por edhe të vetë Enver Hoxhës.

Me urdhër të tij, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga ushtritë jugosllave, që kapeshin apo dorëzoheshin me dëshirë pranë forcave shqiptare, u dërgoheshin divizioneve jugosllave, edhe pse e dinin shumë mirë se ata i priste vdekja.

Gjatë rrugës për në Frontin e Perëndimit, rreth 1000 kosovarë gjetën vdekjen brenda kufijve shqiptarë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, kjo masakër iu faturua Koçi Xoxes, i cili edhe u akuzua si agjent i Titos.

Për këtë flasin një sërë dokumentesh dhe dëshmish të kohës, mes të cilave dhe ajo e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës së III-të në Shkodër.

Në një dokument zyrtar me nr. 146, i Divizionit të V-të, drejtuar Komandës së Përgjithshme të LANÇ-it më datë 29.04.1945, e firmosur nga Komandanti dhe Nënkoloneli Rahman Parllaku, theksohet se “në bazë të urdhrit nr. 93, datë 28.04.1945, të Shtabit Operativ të Kosmetit, Divizioni V-të dhe VI-të lëvizin për në zonat Ferizaj-Gilan. Divizioni ynë me qendër Gilan”.

Ndërsa në një përgjigje drejtuar po këtij Divizioni, që mban radiogrami nr. 38/III, datë 05.06.1945, firmosur nga Enver Hoxha, citohet ndër të tjera se “.në përgjigje të radiogramit datë 01.06.1945, T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52” (jugosllav).

Sipas fakteve historike dhe Arkivit Qendror të Shtetit, referuar në librin e historianit Butka, këto si dhe radiograme të tjera, të dërguara nga Divizionet e V-ta dhe të VI-ta si dhe brigadat dhe batalionet e tyre, udhëhiqeshin e komandoheshin nga komitetet e partisë dhe komisarët politikë: Ramiz Alia, Gafur Çuçi, Reis Malile, Njazi Islami, etj.