Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 18:45

Lipjan, Janjevë – Në Janjevë të Kosovës është mbajtur sot manifestimi letrar–kulturor “Gjurmë të Gjeçovit 2011″. Ky ishte edicioni i njëmbëdhjetë më radhë.

Në ceremoninë e sotme u tha se po rrumbullakohen me sukses vitet në ndjekje të gjurmëve të Atë Shtjefën Gjeçovit. Etnologu e publicisti Gjeçovi është vrarë më 14 tetor të vitit të largët 1929, në moshën 55 vjeçe, ndërsa historia flet se ai ka shërbyer për një kohë të gjatë si mësues në shkollën e Janjevës, që sipas burimeve arkivore daton që nga viti 1610. Sivjet shkolla e Janjevës feston 401 – vjetorin e saj. Drejtori i kësaj shkolle, Bajram Gashi ndërkohë ka thënë se veprat e Gjeçovit konsiderohen si ndër më të mëdhatë në historinë kombëtare.

“Studiuesit e veprës dhe të jetës së Atë Gjeçovit e kanë konsideruar punën e tij si ndër më të mëdhatë në historinë kombëtare. Ai tashmë zë vend të nderuar edhe në historinë e pedagogjisë”, ka thënë Gashi. Ky ka shtuar po ashtu se Janjeva, si qendër e kulturës, po e nderon këtë emër të shquar vit pas viti dhe brez pas brezi.

“Janjeva kaherë është qendër e kulturës dhe nga ky mjedis kanë dalë shumë emra të mëdhenj, ndër ta edhe Atë Gjeçovi. Më 2001 i vumë themelet e këtij manifestimi që ende po festohet me shumë përkushtim. Tani po bëhen 11 vite që kemi filluar të shkojmë pas gjurmëve të Gjeçovit”, ka thënë ai.

Ndërkohë që Agim Bylykbashi, drejtor në Drejtorinë e Kulturës në Lipjan, ka deklaruar se manifestimet nëpër vite kanë bërë një hap të madh drejtë kujtimeve për veprimtarinë e madhe të Gjeçovit.

“Është një gjë që duhet rikujtuar për të gjithë sepse në qoftë se shkohet gjurmëve të Gjeçovit, kujtoj se do ta kemi një të ardhme të ndritshme. Vepra e tij nga ana tjetër na obligon t’i përkushtohemi apelit të tij që kishte plasuar ai me penën e tij”, ka thënë ai.

Në këtë manifestim, ndërkaq, sipas zakonit, ka pasur edhe program kulturor-artistik, recitime poezish dhe fjalime të publicistëve.