Lajme Shqip e Shtunë, 16 Qershor 2012 15:15

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj kanë dalë në tregun e librit këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“SANCTUS – E fshehta që do të tronditë botën” nga Simon Toyne.  Flijimi i një njeriu kthehet në kërcënim për një konspiracion të lashtë sa vetë njerëzimi. Por mjafton kurajo e një gruaje për të hedhur më në fund dritë mbi një të fshehtë të tmerrshme. Por a është vallë në gjendje njerëzimi të përballet me të? Cila është e fshehta e SANCTUS-it? Një burrë ngjitet në majë të ndërtesës më të lashtë ende të banuar në botë, në një mal të quajtur Kështjella, që ngrihet mbi një qytet të vogël të Turqisë. Por s’bëhet fjalë për një ngjitje dosido, por për diçka simbolike, që e sheh bota mbarë. Për Sancti-t, murgjit e fshehtë që jetojnë brenda në Kështjellë, ajo rrezikon të sjellë fundin e gjithë asaj që ata kanë ngritur. Dhe ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta ndaluar, qoftë dhe të vrasin . Libri është botuar nga shtëpia botuese “Linus” dhe kushton 1100 lekë.

“Arkitektura moderne italiane për qytetet e Shqipërisë” nga Anna Bruna Menghini, Frida Pashako dhe Marco Stigliano. Vëllimi trajton analizën e planeve rregulluese të qyteteve shqiptare të realizuara nga arkitektë italianë dhe studimeve të godinave të ndërtuara mes viteve 1925 dhe 194-ës në Tiranë. Mbi bazën e dokumentacionit të mbledhur pranë Arkivës Qendrore Teknike të  Ndërtimeve në Tiranë dhe mbi relievin direkt janë kryer disa ridizenjime kritike dhe hartuar  disa hipoteza projektesh për rikualifikimin e tyre, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ndaj aksit monumental të Tiranës. Libri është botuar nga “Dudaj” në shqip dhe italisht dhe kushton 10 Euro.

“Qyteti me një sy” nga Mark Simoni. Ky është romani i parë i shkrimtarit Mark Simoni, i cili më parë ka botuar poezi, prozë të shkurtër dhe eseistikë. Në sprovën e parë në gjininë e romanit, Simoni i vendos ngjarjet në një qytet të vetëm, ku përmes një ligjërimi të rrjedhshëm, jeta e personazheve me karaktere të ndryshme, janë të ngërthyera nga ngjarje të papritura dhe bestytni që kushtëzojnë horizontin drejt të cilit shohin. Libri është botuar nga “Muzgu” dhe kushton 500 lekë.

Nëse një natë dimri një udhëtar.” nga Italo Calvino. Libri i botuar për herë të parë në vitin 1979, bën pjesë në botimet e fundit të autorit, në të cilat shkrimtari ka sjellë një strukturë të veçantë rrëfimi. “Është një roman mbi kënaqësinë e leximit të romaneve, ku protagonist është vetë lexuesi, i cili dhjetë herë rresht fillon të lexojë një libër, që për disa arsye që janë jashtë vullnetit të tij, nuk arrin ta mbarojë”, shkruan autori. Libri është botuar nga “Dudaj” dhe kushton 900 lekë. (LajmeShqip.com)