Lajme Shqip Saturday, 26 May 2012 15:39

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke ju shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Simfonia e numrave të thjeshtë” nga Marcus Du Sautoy. Vjen për herë të parë në shqip Marcus Du Sautoy, autori i famshëm i serisë së dokumentarëve të BBC-së për historinë e matematikës me librin “Simfonia e numrave të thjeshtë”. Libri është një rrëfim magjepës për një nga misteret më të mëdha të matematikës ende të pazbuluara. Du Sautoy i prin lexuesit në një rrugëtim fantastik në botën e mrekullueshme të numrave të thjeshtë. Ky rrugëtim bëhet më njerëzor dhe më rrëmbyes, sepse na njeh me aspekte të veprimtarisë dhe me çaste ndër më interesantet të jetës të disa prej matematikanëve më të mëdhenj në historinë shumë shekullore të kësaj shkence, duke na i bërë më të afërta përshkënditjen brilante dhe madhështinë e ideve të tyre. Libri është botuar nga shtëpia botuese “IDK”.

“Shkrime për historinë e Shqipërisë” nga Ali Këlcyra. Në antologjinë historike që Tanush Frashëri ka përgatitur pas hulumtimit nëpër arkiva, përfshihen materiale që i kushtohen periudhës 1912-1945, shkruar prej Ali Këlcyrës.  “Të dhënat e vitit 1944-1945 i kam hulumtuar në faqet e shtypit të refugjatëve politikë, pas vitit 1944, me autor Aliun, ndërsa lëndën që rrok lakun kohor 1925-1959, e kam qëmtuar ndër arkiva”, shkruan Frashëri. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Onufri” dhe kushton 2500 lekë.

“Unë nuk kam frikë” nga Niccolo Ammaniti. Ky roman i Ammanit-it të përfshin në procesin e rrëfimit të një historie të nderë, me ritëm të shpejtë e me një mekanizëm që i ngjan një ore të kurdisur, që me tik-takun e saj të çon drejt një fundi të frikshëm e që të lë gojëhapur. Papritur, Mikele Amitranoja, nëntë vjeç, gjendet përpara një sekreti aq të madh dhe të tmerrshëm, saqë e ka të pamundur ta tregojë atë. Për të përballuar makthin e asaj çka jeton, i duhet të gjejë forca të jashtëzakonshme e të vërë në lëvizje fantazinë fëmijërore. Romani është botuar nga “Dudaj” dhe kushton 750 lekë. (LajmeShqip.com)