Lajme Shqip Thursday, 17 May 2012 15:11

Tiranë – Flamuj të shumtë të ylbertë, si shenja dalluese e komunitetit seksual Lesbike, Homoseksualë, Biseksualë dhe Transeksualë (LGBT) u valvitën të lirë në sheshin e “Vëllezërve Frashëri” sot në Tiranë në kuadër të 17 majit, Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë.

Aktiviteti, në formën e një Festivali të Diversitetit, më tenda “të mbushura” përplot me broshura informuese, i cili do të vijojë përgjatë gjithë ditës së sotme me shfaqje filmash dhe ekspozita fotografie dhe video-instilacionesh, u organizua nga Lëvizja LGBT dhe “Ambasada Pink”, me mbështetjen e Ambasadës Holandeze në Tiranë, Ambasadës Amerikane, Avokatit të Popullit, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si dhe organizatave jo-qeveritare që veprojnë në Shqipëri.Ndryshe nga sa pritej prej muajsh ky aktivitet i 17 majit, ku një pjesë e atyre që i qëndrojnë stoik “traditave shqiptare” apo “kulturës shekullore”, apo ata që e përmendin marrëdhëniet seksuale me të njëjtin seks si “sëmundje”, por edhe komenteve apo posterave të shumtë kërcënuese dhe diskriminuese në rrjetet sociale, “Festivali i Diversitetit” siç u titullua, nuk pati asnjë incident për ata qindra të pranishëm, “të blinduar” nga forca të shumta policie.

Ndërsa në sheshin para “Vëllezërve Frashëri” organizohej ky Festival i Diversitetit, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, me dhjetëra besimtarë myslimanë të mbështetur nga Forumi Mysliman Shqiptar ishin mbledhur në një protestë paqësore.

“Sot Shqipëria e Re po nënshkruan një kapitull të ri në historinë e saj, së bashku me komunitetin LGBT…është historia e një vendi ku respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ajo është Shqipëria Evropiane që pranon dhe respekton komunitetin LGBT në të drejtat e tij për të jetuar i barabartë, si çdo individ i lirë dhe që lufton kundër çdo lloj forme diskriminimi, homofobie dhe paragjykimi shoqëror”, tha në fjalën e hapjes Ambasadori i Ambasadës Pink (Rozë) në Tiranë, Altin Hazizaj.

Ambasadori i Vendeve të Ulta në vendin tonë, Henk Van den Dool, deklaroi se është ndjerë i befasuar nga deklaratat e kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, në adresë të tij, për faktin se ai nuk është një njeri i thjeshtë, duke vijuar se “ngjarjet e fundit diskriminuese ndaj komunitetit LGBT tregojnë se ka ende injorancë për homoseksualizmin”.

Ndërsa ambasadori i SHBA në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, tha se “dua të përgëzoj Kryeministrin Berisha, që ishte tejet i qartë në pozitën e Shqipërisë për të drejtat e LGBT-së. Mbrojtja e të drejtave të tyre është prioritet kyç për politikën e SHBA-së”.

Parada që parashikohej të organizohej po sot, me njerëz të veshur me “të bardha”, për shkak të shiut të dendur dhe pjesëmarrëse të pakët në këtë aktivitet, do të vijojë me aktivitete të tjera përgjatë gjithë ditës së sotme, në përkujtim të heqjes së homoseksualitetit prej Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, bërë nga OBSH, më 17 maj 1990.

LGBT
LGBT u njoh për herë të parë si terminologji, që në vitet ’90-të, nga gjithë vendet anglisht-folëse. Por homoseksualizmi, apo marrëdhënia seksuale me seks të njëjtë, biseksuale apo transeksuale (meshkuj të veshur si femra) njihet që nga kohët e lashta në dosjet e historisë. Që nga perandorët romakë, helenët e lashtë, Aleksandri i Madh, e deri tek diktatorët më të mëdhenj të historisë “së sotme”; Hitler i cili shkonte në shtrat me kushërirën e tij, Stalin që kishte lindur në Gjeorgji, në një vend ku fiset kozake e kishin për traditë që baballarët të shkonin me fëmijët e tyre meshkuj, e shumë të tjerë, patën devijime seksuale apo rëndom marrëdhënie seksuale me të njëjtin seks.

Në kohët tona, para Revolucionit “Hippie” të viteve ’60, nuk ekzistonte një term i përbashkët për personat që nuk ishin heteroseksualë, por së shumti përdorej “gjen i tretë”, i përhapur së shumti në 1860. (LajmeShqip.com)