Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 18:49

TIRANE -Juria e Çmimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë, të botuar apo të dorëzuar në dorëshkrim në adresë të Grupit “Koha”, brenda afateve të caktuara, e përbërë nga akademik Rexhep Ismaili, Agim Isaku, Kim Mehmeti, Zenun Çelaj dhe Veton Surroi, u ndesh me një listë të gjerë veprash që sollën autorët dhe botuesit gjithandej nga shkruhet, shtypet dhe shpërndahet libri shqip. Oferta sivjet ishte edhe më kompetitive, andaj dhe bëri që anëtarët e jurisë të shënojnë kandidatë të shumtë për çmimin.

Megjithatë, Juria u përcaktua për një kandidat, në një garë shumë të ngushtë. Me shumicë propozimesh sivjet juria u përcaktua që çmimi “Rexhai Surroi 2012″ t’i takojë shkrimtarit Ridvan Dibra për romanin e tij “Legjenda e vetmisë”.

Shkodrani Ridvan Dibra, romancier që nga vitit 1995 me romanin “Nudo” (1995), tregimet “Prostituta e virgjër”, romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, “Kanuni i Lekës së vogël” etj., arriti të krijojë vendin e vet në letërsinë shqipe. Madje, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si studiues i saj dhe ligjërues në Universitetin e Shkodrës.
Dhe mu si një lloj sfide të të bashkëdyzuarit të personit të tij prej studiuesi dhe shkrimtari, arrin “Legjenda e vetmisë”, një roman prej gati 20 mijë fjalësh.

Ky roman, botim i Shtëpisë Botuese “Onufri” nga Tirana, është një prozë e cila synon të risjellë një dramë të lashtë të njerëzimit, kësaj radhe mbështetur në dy vargje të një legjende popullore, konkretisht: “Nana djalin ka qorrue, me gjaks t’burrit m’u martue…”, distik të cilin ai e vendos më së shumti si justifikim edhe në hyrje të rrëfimit të vet.
Romani në fjalë shënon një përpjekje të lavdërueshme për rikthimin tek letërsia e vërtetë ku proza dhe poezia, ritmi dhe aritmia, thellësia dhe të vështruarit nga jashtë synojnë të sjellin një realitet.

Proza, përkundër ndërthurjes së shprehjes poetike, mbetet prozë. Në të karakteret vizatohen lehtë si në një akuarel, por përsëritja e detajeve e forcon identitetin me një element i cili, edhe pse i huazuar nga poezia, i shpëton rrezikut për t’u shndërruar në të tillë e ca më keq për të prodhuar letrarizëm infantil a banal.

Në këtë kohë kur “produkti” artistik është mbathur gjithandej me spekulime të gjithfarësojshme, politizim banal e alibik, letrarizëm infantil a banalitet (më së shpeshti produkt i paaftësisë për të përballuar lirinë), ky roman synon pikërisht të kundërtën. “Legjenda e vetmisë” është një rizbulim, një përpjekje e arrirë për ta kthyer romanin atje ku edhe filloi: te rrëfimi.(LajmeShqip.com)