Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 17:53

Realiteti historik, kulturor, ekonomik e politik i 27 qytezave arbëreshe në Itali është objekti i studimit të një prej librave të fundit të publikuara në Itali nga shtëpia botuese Rubbettino, e njohur dhe për botimin në gjuhën italiane të autorëve shqiptarë si Visar Zhiti e Fatos Kongoli.

Libri studimor “La Calabria Albanese” i autorit italian Fulvio Mazza, u promovua pak ditë më parë në Romë në ambientet e një prej librarive të njohura të këtij qyteti.

Në këtë event të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë morën pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar e arbëresh, studiues, gazetarë, si dhe personalitete të larta të diplomacisë kosovare në Romë.

Libri “La Calabria Albanese” është një studim i thelluar i historisë nga origjina deri në ditët e sotme të qytezave arbëreshe të shtrira në veri të rajonit të Kalabrisë.

Ky rajon i Italisë karakterizohet për numrin më të madh të qytezave arbëreshe rreth 27 nga 50 që gjenden gjithsej në të gjithë territorin italian.

Ky libër merr në analizë kontributin e popullsisë arbëreshe në tokën kalabreze si dhe traditat, gjuhën e shprehjet kulturore të kësaj minorance etnike që prej 6 shekujsh i ruan ende me fanatizëm.

“Është i jashtëzakonshëm roli që kanë luajtur rreth 100 mijë arbëreshë në jetën politike ekonomike e sociale italiane”, u shpreh Ambasadori i Shqipërisë në Itali Prof. Dr. Neritan Ceka, duke përcjellë për të pranishmit përshkrimin e aktivitetit politik, social e letrar të disa figurave të rëndësishme arbëreshe.

Ideatori e kuratori i këtij studimi, Fulvio Mazza, shpjegoi për të pranishmit se shpesh herë në këtë libër është adoptuar termi Albanesia për të treguar kompleksitetin e qytezave arbëreshe që në këndvështrimin gjeografik nuk shtrihen në një territor të vetëm me kufij të përcaktuar mirë e as nuk përbëjnë një bashkësi të vetme administrative.

Në respekt të kontestit territorial në të cilin ndodhen qytezat arbëeshe në rajonin e Kalabrisë me veçantitë e gjuhës, historisë e traditës, përbëjnë një arqipelag të vërtetë gjuhësor e kulturor.”

Të 27 komunat arbëreshe në Kalabri janë të përqëndruar në tre provinca kryesore; Krotone, Katanzaro e Kozenca.

Në këtë event u diskutua dhe për shqetësimin e mungesës sot të mësimit të gjuhës shqipe në shumicën e qytezave arbëreshe, si dhe të rëndësisë së përcjelljes e ruajtjes së gjuhës shqipe tek brezat e rinj.