Lajme Shqip Saturday, 21 July 2012 19:45

Prishtinë – Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë sot ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, Ali Podrimja, në Francë.

Poeti Ali Podrimja humbi kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève.

Kush është Ali Podrimja?
Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966 fillon punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës.

Më 1976 kalon në edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës i PEN-it shqiptar.

Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt. Me shkrime filloi të merret që gjimnazist. Poezinë e parë ‘Arabja’ e botoi në revistën “Jeta e re” nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë “Thirrje”, i cili me përkthim të poetit Esat Mekuli u botua edhe në gjuhën serbokroate (1968). Përmbledhja “Thirrje” në vitin 1971 u bë karton në Tiranë për shkak të disa poezive hermetike. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet.     

Veç poezive, Podrimja shkruan ese e tregime. Bashkëpunon me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me shpërblimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Ka qënë prezent në shumë manifestime ndërkombëtare. Ali Podrimja jetonte në Prishtinë.

Me rastin e vdekjes së parakohshme të akademikut Ali Podrimja, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës publikon këtë deklaratë:

Me tronditje dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e parakohshme të poetit emblematik të letërsisë shqipe, akademikut Ali Podrimja. Vdekja e tij është humbje e madhe për familjen, për të gjithë miqtë e tij të shumtë, për lexuesit që e deshën dhe e çmuan, për Akademinë dhe për të gjitha institucionet e Kosovës, për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Poezia e Ali Podrimjes për më shumë se gjysmë shekulli ishte zëri identitar i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës, idealet dhe synimet e saj. Ali Podrimja shkroi për Kosovën e vuajtjeve dhe të brengave, për Kosovën e shpresave të mëdha, për Kosovën e idealeve të lirisë. Ai ishte poeti që diti të sublimojë në veprën e tij të gjitha shqetësimet e një kohe dhe të një epoke. Epoka e Kosovës dhe epoka e shqiptarëve të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI ishte edhe epoka e Ali Podrimjes. Zëri i tij ishte i veçantë, i papërsëritshëm në poezinë shqipe, ishte zë që shprehte qenësinë e qëndresës dhe mbijetesës së popullit tonë. Ideali i tij poetik dhe ideali i tij intelektual ishin pasioni i pashuar për liri dhe dinjitet njerëzor.

Me vdekjen e Ali Podrimjes, Kosova mbeti pa poetin e saj, i cili
si askush tjetër njohu dhe artikuloi dhembjen e saj. Vargu i tij “Kosova është gjaku im që nuk falet” thotë atë që nuk e tha askush tjetër për popullin dhe për vendin e tij.

Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së akademikut Ali Podrimja, si dhe të gjithë miqve dhe adhuruesve të tij. (LajmeShqip.com)