Lajme Shqip Friday, 10 June 2011 13:38

Tiranë – Shkrimtari, përkthyesi, studiuesi i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji, mbush sot një vit që u nda nga jeta, në moshën 84-vjeçare. Miq e të afërm, intelektualë të vendit si dhe krerë të lartë të shtetit i dhanë personalitetit të kulturës shqipe lamtumirën e fundit mesditën e 11 qershorit të vitit 2010.

Akademiku Jorgo Bulo, i cili ka bashkëpunuar gjatë me Gjergj Zhejin, tha atëherë se Zheji ka dhënë kontribut në fushën e kritikës shqiptare në një kohë kur kritika ishte e kufizuar. “Shkrimet kritike të Gjergjit dalloheshin për përpjekjet për të emancipuar dhe për t’u shpëtuar skemave dhe diktatit ideologjik të kohës”, tha Bulo.

Edhe pse la pas firmën e tij në vepra të shumta Zhejit i kishte mbetur peng folklori, që ishte pak i studiuar, sikurse kishte peng dhe rishikimin e letërsisë. Pothuajse kishte përfunduar dhe romanin dy vëllimësh “Sëmundja e lirisë”. Ishte duke përgatitur një libër me kujtime rreth familjes së tij të madhe, fshatit Zagori, vendlindjes së tij, një zonë që shquhej për kulturë. Do të rrëfente për prindërit, vëllanë Petro Zhejin, studiues e përkthyes, motrën, Vera Zheji, po aq e njohur për zërin e saj në radio.

“Nuk kam dhënë aq sa kam dashur, por jo se nuk kam dashur unë, por sepse nuk kam mundur”, ishte shprehur Zheji në një nga intervistat e tij të fundit në një të përditshme shqiptare.

Personaliteti i kulturës shqiptare Gjergj Zheji ka dhënë kontribut të rëndësishëm në disa fusha, dhe ka qenë i pari studiues që ka realizuar një monografi për jetën e Andon Zako Çajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike.

Gjergj Zheji njihet dhe vlerësohet si kritik letrar dhe i kulturës shqipe, si ndër themeluesit e teorisë së metrikës shqipe, modernizuesi i lëndës së folkloristikës shqiptare, studiues i autorëve të Rilindjes Kombëtare, të atyre të periudhës midis dy Luftrave dhe asaj bashkëkohore, etj.

Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar, përmenden “Rinoceronti” nga Eugene Ionesco, “Përallat e Car Sulltanit” nga Aleksandër Pushkin, “Metafizika e dashurisë” nga Artur Shopenhauer, “Ekzistencializmi është humanizëm” i Zhan Pol Sartit, “Aventurat e Hekelber Flintit” i Mark Tuein, etj. Ai ka dhënë një kontribut të madh në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë, deri te Leximi Letrar.