|
|
e Enjëte, 28 Qershor 2012 22:00 Tiranë – Shoqata “Çamëria”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj çelën dje, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ekspozitën fotografike “Kultura dhe Historia e Çamërisë”, raporton Starti.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga të gjitha forcat politike në Shqipëri, nga Kosova, si edhe nga trupi diplomatik.
Në këtë ekspozitë, e cila u zhvillua pikërisht në 68 vjetorin e nisjes së genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë më 27 qershor 1944, u shfaqën dokumente origjinale të sekuestrimit të pasurive të shqiptarëve të Çamërisë, vërtetime të lëshuara nga shteti grek, protestat origjinale të dërguara nga Shqipëria, si edhe fotografi të vjetra të krahinës, krahas personaliteteve të shquara të Çamërisë. Po ashtu, u prezantua vepra “Monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, një punë dyzetvjeçare e prof. dr. Selman Sheme.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, vlerësoi nevojën e një kohezioni mbarëkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame. Idrizi theksoi se bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim ngjyrimeve krahinore, politike dhe fetare është pikënisja e zgjidhjes së çështjes çame. “Atje në Çamëri, dy kombet më të vjetër të Evropës, shqiptarët dhe grekët, pretendojnë pronësinë e këtyre miteve. Nëpërmjet këtyre miteve, nëpërmjet shumë gjurmëve monumentale që gjenden në Çamëri, grekët duan të provojnë se rrjedhin prej helenëve të lashtë. Ndoshta siç thotë Aristidh Kolia, patriarku i madh kombëtar shqiptar, dy kombet s’kanë arsye pse të grinden, por të bashkëjetojnë, duke nderuar rrënjët e tyre të përbashkëta. Ndaj ka ardhur koha që Greqia përfundimisht, të kuptojë se asnjë e keqe, nuk i vjen prej kombit tonë, prej bashkëjetesës me shqiptarët, kudo ku ata kanë jetuar, dhe ku duhet të jetojnë!” tha Idrizi.
Duke folur për librin e prof. Selman Shemes, në të cilin paraqiten veçoritë e gjithë Çamërisë në fotografi, z. Idrizi theksoi se “brenda këtij libri do të kuptoni pse dashuria për Çamërinë ka kaluar brez pas brezi, dhe s’do të vdesë kurrë. Do të kuptoni se kjo dashuri i ka themelet në një gjeografi unike, në peizazhe ku perënditë dhe njerëzit kanë jetuar bashkë, apo kanë marrë formën e njeri tjetrit. Do të kuptoni se kjo dashuri s’vdes dhe për shkak të këngëve, dhe valleve tona, ndoshta më të bukurat në botë. Ja pse, unë jam i nderuar që ju përgjigja modestisht si individ, por dhe si politikan, si kreu i PDIU-së, si bir i një çami, që dy vjeç e shkulën prej tokës së të parëve, thirrjes së profesor Shemes, për ta mbështetur botimin e këtij libri.” – tha z. Idrizi, duke shtuar se “sot të gjithë ne, e duam më shumë sesa dje Çamërinë!”
Në këtë aktivitet përshëndeti edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës,
ish-pjesëtar i luftës çlirimtare dhe epopesë së UÇK-së, i emërtuar gjatë luftës si Komandant Çeliku, Fatmir Limaj, i cili theksoi se çështja çame është e pandashme nga çështjet e tjera kombëtare dhe ashtu sikurse edhe Kosova, edhe Çamëria u përket të gjithë shqiptarëve. Në këtë kuptim, z. Limaj u bëri thirrje të gjithë patriotëve që të bashkohen rreth kauzës së madhe të shqiptarëve të Çamërisë dhe të kontribuojnë aq sa munden, për ta çuar përpara këtë çështje. (LajmeShqip.com)