Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 20:22

Tirane -“Kujtimet e një bushtre”.E vërteta e Helenës së Trojës.

“Bushtra. Kështu më quajnë burrat e ekuipazhit. Bushtra. Këtë e bëjnë fshehurazi. Por unë i dëgjoj. Unë quhem Helenë, kam lindur në Spartë, por u largova prej andej për shkak të dashurisë. Thoshin se isha gruaja më e bukur në botë. Për ato pak gjëra që mora, për ato shumë që humba, rapsodët bëjnë tashmë rrëfime. Rrëfime të gënjeshtërta. Tekefundit ata nuk ishin. Kurse unë, po”. Këto pak rreshta janë paralajmërimi i një rrëfimi nga vetë ajo, Helena e Trojës.

Në vetë të parë, prej trupi e prej shpirti, të cilin ia ka dhënë një vajzë 19-vjeçare, e cila debuton me këtë personazh mitik në gjininë e romanit. “Kujtimet e një bushtre”, i shkrimtares së re italiane, Francesca Petrizzo, vjen tashmë edhe në shqip. Përkthyer nga origjinali italisht nga Adrian Beshaj, ky është botimi më i ri i shtëpisë botuese “Saras”. Francesca Petrizzo e merr Helenën dhe e nxjerr nga sfondi homerik dhe mbështjellë nga tisi i misterit me të cilin ne jemi mësuar ta shohim deri më tani.

Helena, gruaja vdektare më e bukur, vjen si një personazh modern dhe arketip i shumë femrave që ndër shekuj kanë pasur fatin e keq të përplasen në binomin dashuri-pushtet. E bërë kjo nga një vajzë 19-vjeçare që e ka eksperiencën e parë në të shkruar, është më shumë se një guxim. Sqarimin e kësaj nxitjeje e jep vetë ajo në intervista të ndryshme. E rritur me mitet antike, e dashuruar me këtë letërsi klasike, Francesca e kishte nisur këtë pasion të sajin me tregime të shkurtra, por siç ajo shprehet, “dora i ishte lëshuar” në rastin e Helenës. Francesca Petrizzo ka lindur në Empoli më 17 maj 1990. Pas Marurës në liceun klasik, regjistrohet në Fakultetin e Historisë në Firence, por pranohet gjithashtu në Universitetin e Oksfordit. Dëshira e saj është të bëhet historiane, por dashuron gjithashtu kinemanë, muzikën, leximin. Kultivimi i pasionit të të shkruarit shpërtheu tek ajo në “Kujtimet e një bushtre”, pasuar në vitin 2011 me romanin e dytë “Il Rovescio del buio” (E kundërta e errësirës).

Francesca Petrizzo e nxjerr Helenën nga vargjet homerike, e zhvesh nga zemërimet e perëndive dhe e bën atë protagoniste të së vërtetës së vet, një personazh të kohëve moderne që flet në emër të shumë të ngjashmëve të saj. E shohim në rrugicat e pallatit të Spartës, nën pushtetit e babait-mbret Tindarit dhe nënës Ledia, aty ku rrëmbehet egërsisht nga Tezeu e ku shpëtohet nga një ushtar, me hijen e së cilit dashurohet, ku përjeton dhimbjen e humbjes së dy vëllezërve e në të njëjtën kohë të ushtarit të cilit i njihte vetëm prekjen, ku e quanin “dashnore” të të vëllezërve, sepse mbante zi të gjatë, jo për ta, por për dashurinë e humbur që nuk ia dinte kush, ku fati i saj duket sikur hapet me mëtuesin Diomed, me të cilin provon kënaqësitë e para fizike. Por teksa përjeton gjakun që i vërshon ndër vena, provon për herë të parë peshën e pushtetit dhe dashurinë e mohuar.

 

Burri i saj i ardhshëm do të ishte Menelau, që bashkë me të, Helenën e bukur do të trashëgonte fronin e Spartës. Nuk e urrente, por i dhimbsej budallallëku i tij. Nuk donte ta ndiente praninë e tij në shtrat dhe ngushëllimin e kërkon në krahët e të tjerëve, Akilit (nga tradhtia e të cilëve lind Hermiona), Paridit, Hektorit…Në sytë e të tjerëve ajo është gjithnjë bushtra. Ia mërmërisin teksa kalojnë korridoreve, por edhe në vështrimet që i nguliten. Ajo është për ta shkaku i shkatërrimit të Trojës. E gjithë kjo panoramë vjen deri në detaje, me fraza të mbushura plot figuracion ku rrëfimi herë është i prerë e herë të tjera më pasionant. Përkimet me mitin e Helenës nuk duhet t’i kërkojmë të përpikta. Francesca Petrizzo i ka vënë në fjalët e saj, atë që ajo e quan e vërteta e Helenës, në këtë rast e perceptuar sipas modelit të shkrimtares. Ndër shekuj, që nga dijetarët e shekujve para Krishtit Helena na vjen në disa versione, gjithnjë mistike.

“Nuk kam shqyrtuar burime të veçanta, sepse iu futa kësaj nisme duke e njohur mirë argumentin. Ndonjëherë mendoj se për të shkruar një roman është më mirë t’i lëmë pas krahëve burimet kryesore. Modeli mbi të cilin jam bazuar janë ‘Kujtimet’ e Adriano di Marguerite Yourcenar, dëshmi se si një roman historik mund të tregojë diçka moderne”, thotë Francesca. Shkrimtarja e re nuk pajtohet me paragjykimet mbi këtë personazh. “Helena e Trojës është një personazh i përdorur nga mitet greke; duke lënë Menelaun ajo provokon luftën. Për të mos folur pastaj për ata që e kanë quajtur një hije që me bukurinë e saj përshkon botën dhe zhduket pa lënë asnjë gjurmë të sajën. Kjo për mua është tërësisht e papranueshme. Helena është një qenie njerëzore që bën edhe zgjedhje të gabuara, por gjithnjë të motivuara”, shprehet Francesca. Në 250 faqe, ky personazh i ripropozuar nga një 19-vjeçare vjen me një stil shkrimi që nuk të lë të biesh në batakun e fakteve tashmë të ditura. Përkundrazi, faktet që njohim tashmë nga mitologjia të shtyjnë të kërkosh risitë, të ndjekësh raportet e krijuara mes personazheve, të gjesh rrugën e ndryshme që Francesca u ka dhënë e mbi të gjitha të përfitosh kënaqësinë e një miti të kthyer në boshtin e një letërsie artistike. Versioni i parë i “Kujtimet e një bushtre”, është shkruar kur Francesca ishte vetëm 15 vjeçe.

Para se libri të botohej nga “Frassinelli”, e ripunoi në moshën 18-vjeçare. Në një farë mënyre mësoi që Helena të rritej me të. “Ishte sikur të mësoja të njihja një njeri të ndryshëm nga unë, teksa planifikoja të shkruaja, për një çast mendoja se Helena do të ishte sjellë ndryshe nga ç’po e bëja unë të sillej”, thekson shkrimtarja. Ky libër për të cilën është diskutuar mjaft pas botimit në Itali, tashmë vjen për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Saras”. (Shqip/LajmeShqip.com)