Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 11:56

Në një dokument qeveritar prej 226 faqesh, i cili flet për objektivat kulturore në korniza afatmesme të shpenzimeve, vetëm në dy faqe përmendet kultura.

Sipas hulumtueses suedeze, Ebba Lekvall, kjo tregon për mungesën e një vizioni dhe të politikave të mirëfillta për kulturën në Kosovë. Këtë dokument ajo e ka studiuar gjatë kohës kur nisi të mbledhë informacione për punimin që titullohet “Drejt një politike kulturore për Kosovën”, raport ky i përgatitur në bashkëpunim me “Forumin Kulturor”, pjesë e të cilit janë më shumë se 40 organizata të pavarura kulturore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky raport u prezantua gjatë ditës së martë në Qendrën Kulturore të BE-së dhe u përcoll me debat. Raporti është fokusuar në problemet që lindin si rezultat i legjislacionit të shumtë në fushën e kulturës, po ashtu edhe në zbrazëtirat ligjore. Një tjetër problem që ky punim mëton ta adresojë është çështja e financimit dhe ndarja e buxhetit nga institucionet. Po ashtu edhe transparenca.

Për të biseduar rreth gjetjeve të këtij punimi, përveç Lekvall i pranishëm ishte edhe Florent Mehmeti kryetar i Forumit Kulturor, dhe drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu. Lekvall me këtë rast ka thënë se e ka pasur të vështirë të gjejë informata të sakta rreth asaj se çfarë është duke ndodhur në fushën e kulturës.

Sipas Florent Mehmetit, fajtor në këtë drejtim është edhe vetë komuniteti artistik.

Legjislacioni, sipas Vjollca Aliut, mbetet një prej kornizave më komplekse për trashëgiminë kulturore në vend. Duke qenë se udhëheqë Departamentin e trashëgimisë kulturore, ajo nuk ka dashur të flasë për drejtoritë e tjera, por e ka pranuar se trashëgimia ballafaqohet me shumë sfida.

Florent Mehmeti ka thënë se në 15 vitet e fundit në Kosovë nuk ka pasur politika kulturore të shkruara, ani pse institucionet mund ta thonë të kundërtën