Lajme Shqip Sunday, 13 January 2013 16:52

TIRANE – Është botuar në shqipe nga “Pegi”, vëllimi i dytë i trilogjisë “Revolta e Atlasit”. E shkruar nga autorja e njohur Aun Rand, romani është shqipëruar nga Amik Kasoruho. Libri, me elemente të ndryshme romance, misteri dhe politike, paraqet parullën më të gjerë të bindjeve politike, filozofike dhe liberale të përpunuara nga Ayn Rand-i.

Heronjtë tanë ndodhen tashmë në një situatë ekonomike të vështirë, armiqtë janë identifikuar, por mbetet ende sekreti i motorit “magjik”, i zhdukjeve të mistershme dhe i “kush është Xhon Gallti?”. A do arrijnë Denji dhe Riardeni të jenë të lumtur së bashku? Si do u vejë filli industrive dhe hekurudhave? Ç’do të ndodhë midis Denjit dhe Fransiskos? Dhe mbi të gjitha, pse zhduken njerëzit më të zotë të botës? Këto e shumë më shumë do i gjeni në volumin e dytë të “Revolta e Atlasit”. Kritika ka folur shumë për “Revoltën e Atlasit”, që u botua në vitin 1957 për herë të parë. Që atëherë ka qenë në mënyrë të vazhdueshme një nga librat më popullorë në SHBA. Ai u rendit në vendin e gjashtë në listën e librave më të shitur të “New York Times”-it, tri ditë pas botimit. Mbeti në listë për 21 javë dhe arriti në vendin e katërt. Në një sondazh të vitit 1991, “Revolta e Atlasit” rezultoi si libri i dytë më influencues pas Biblës. Botimi ka shitur mbi 30 milionë kopje gjatë gjithë historisë së tij dhe është botuar në 23 gjuhë të ndryshme. Ai ka shitur 3 milionë kopje vetëm në tri vite nga 2008-a deri në 2010-n, periudhë kur libri u “rikthye në modë”. Sipas “The Economist”, shitjet e librit duket se përkojnë me publikimin e të dhënave ekonomike. Sa herë që në ekonominë botërore dhe amerikane ndihen efektet e një krize, lexuesit i rikthehen “Atlasit”. Ai është parë si një celebrim i jetës dhe i lumturisë. …Individët krijues, qëllimet e pastra dhe racionaliteti arrijnë gëzimin dhe përmbushjen. Parazitët, që vazhdimisht shmangin qëllimshmërinë dhe arsyen, shkatërrohen me të drejtë. “Sa herë që qeveritë ndërhyjnë në treg, lexuesit nxitojnë të blejnë ‘Revoltën e Atlasit’. Pse? Arsyeja kuptohet, nga emri i një grupi të krijuar së fundmi në ‘Facebook’: “I lexuat lajmet sot? Duket sikur ‘Revolta e Atlasit’ po ndodh në jetën e vërtetë”, shkruante “The Economist” në vitin 2009. Autorja Ayn Rand, lindur më 1905 në Shën Pjetërburg ka vdekur më 1982 në Nju Jork dhe ka qenë një shkrimtare e filozofe amerikane. Ajo është shkrimtarja e parë që ka mbrojtur në mënyrë të flaktë një ideologji të bazuar në lirinë individuale, egoizmin racional, etik dhe kapitalizmin ekstrem “laissez-faire”. Ajo iu kundërvu fesë, luftës dhe çdo forme të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Librat dhe mendimi i saj kanë qenë shumë influencues në kulturën dhe shoqërinë e SHBA-së.
Po nga “Pegi” është botuar këto ditë edhe libri për fëmijë i ilustruar “Në mbretërinë e fantazisë”. Shkruar nga Jeronim Stilton dhe përkthyer nga Agim Doksani, ai i çon të vegjlit në një udhëtim spektakolar. A do të dëshironit të takonit shtriga, sirena, dragonj, xhinde, xhuxhmaxhuxhë mjekroshë, gjigantë, zana… Por edhe njëbrirësh, katallanë dhe njerëz-ujqër? Do t’ju pëlqente të fluturonit në shpinën e Dragoit legjendar të Ylberit? Le të nisemi së bashku atëherë, në këtë udhëtim aventuror në flatrat e fantazisë, bashkë me Jeronim Stiltonin. (LajmeShqip.com)