Lajme Shqip Friday, 12 April 2013 08:31

BRITANI- Gazeta londineze The Independent, boton sot listën e shkurtër, prej 6 shkrimtarësh, që janë në garë për marrjen e çmimit The Independent Foreign Fiction Prize 2013. 

Në këtë listë bie në sy emri i shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, që me romanin “Darka e gabuar” (në anglisht The Fall of the Stone City , nga shqipja e John Hodgson) ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe shtypit britanik. 

The Independent Foreign Prize, është i vetmi çmim britanik për letërsinë e huaj të botuar gjatë një viti në Britaninë e Madhe. Nga lista e gjatë prej 16 shkrimtarë dhe 13 gjuhë, kjo listë është shkurtuar në 6 autorë dhe 4 gjuhë: (Darka e gabuar) e Ismail Kadare, Dublinesque e Enrique Vila-Matas (Spanjë), The Detour e Gerrband Bakker (Danimarkë), Traveller of the Century e Andrés Neuman (Spanjë), Bundu e Chris Barnard (Afrikë), dhe Trieste e Dasa Drndic (Kroaci). 

Bien në sy skualifikimi nga kjo garë e nobelistit Orhan Pamuk, me librin e tij “Silent house”.
Shkrimtarja Elif Shafak, një nga anëtarët e jurisë së këtij viti, tha se lista e shkurtër e gjashtë titujve, “reflekton një larmi magjepsëse stilesh, zhanresh dhe gjuhësh nga e gjithë bota.” 

Ndërsa Antonia Byatt, drejtore e Arts Council England tha, “Ky shortlist i fortë nxjerr në pah pasurinë dhe larminë e letërsisë nga i gjithë globi, të cilën lexuesit këtu mund ta shijojnë dhe eksplorojnë falë aftësive të pabesueshme të përkthyesve”.

Fituesi i këtij çmimi do të nderohet në Royal Institute of British Architects, në Londër, në 20 maj 2013. Vlera e tij është £10.000 dhe ndahet në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit.(LajmeShqip.com)