Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 14:35

Tiranë – Shteti shqiptar duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme para përfundimit të vitit 2014, për të shmangur rreziqet serioze për Pasuritë Botërore të Njerëzimit, Beratin dhe Gjirokastrën, në mënyrë që të shmangë gjithashtu futjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik”. Ky është paralajmërimi e njëkohësisht “kërcënimi” që bën ICOMOS (Organizata Ndërkombëtare e Profesionistëve të Trashëgimisë) përmes një raporti që zbardhet sot në “Gazeta Shqiptare”.

Eleni Maistrou (specialiste e ICOMOS) ka qenë në Shqipëri në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe ka vizituar Beratin e Gjirokastrën, qytete pjesë të UNESCO-s tashmë, të shpallura pasuri e njerëzimit. Pas vizitës disaditore, ajo ka hartuar një raport ku tregon problematikat dhe arritjet e shtetit shqiptar në këto dy qendra historike. Ajo ka bërë me dije se ndërtimet pa leje dhe mungesa e planeve të menaxhimit, janë problematike, e nga ana tjetër, i këshillon një sërë detyrash e përgjegjësish Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky “kryqëzim” që i bëhet IMK-së lidhet me të qenit një prej institucioneve më të rëndësishme për trashëgiminë, e megjithatë Maistrou sugjeron që ky institucion duhet të ketë me shumë shkencëtarë e mjeshtra… Ajo lë të kuptohet që IMK-ja duhet të marrë frerët në dorë dhe kjo, deri në vitin 2014, shprehet Maistrou në raport, duke nënvizuar afatin kohor, pra deri më 2014-ën.
ICOMOS, është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare profesionistësh, që i është dedikuar ruajtjes së monumenteve dhe vendeve historike në botë. Ajo njihet ndryshe edhe si International Council on Monuments and Sites – Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Sajteve. Misioni i kësaj organizate, vuri në dukje se shteti shqiptar e ka vullnetin dhe qëllimin që të përmbushë angazhimet dhe kërkesat e Konventës së Trashëgimisë Botërore dhe direktivat e saj. Institucionet e tjera, përpiqen për të qenë një partner i gatshëm në mbrojtjen dhe menaxhimin e vlerave të jashtëzakonshme universale. Prandaj, në këtë moment nuk duhet të kihet në konsideratë futja e këtyre zonave në listën e rrezikut.
Rekomandimet
Instituti i Monumenteve Kulturore (IMK), një institut shkencor shtetëror, duhet të bëhet “trupi përgjegjës” për konservimin dhe menaxhimin e dy qendrave historike ‘as one unit’. Ai duhet gjithashtu të jetë i përgjegjshëm për monitorimin, shembjen ose përshtatjen e ndërtimeve pa leje, si dhe për lejet për ndërtime të reja apo zhvillimin e qyteteve-muze. Drejtoritë rajonale duhet të veprojnë si zyra lokale të IMK-së, drejtuar dhe kontrolluar drejtpërdrejt nga IMK. Bashkitë duhet të ndjekin udhëzimet e IMK-së në të gjitha veprimet lidhur me ndërhyrjet në qendrat historike. IMK duhet të forcohet me personel të specializuar dhe me më shumë fonde. Një çështje tjetër shumë e rëndësishme është afrimi i më shumë shkencëtarëve më të specializuar dhe i mjeshtrave në restaurim. Raporti vë në dukje se përpos kësaj duhet bërë ndërgjegjësimi i komunitetit për vlerat e trashëgimisë.
Konkluzionet
Duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë mes grupeve të ndryshme të interesit: institucioneve vendore dhe atyre kombëtare, e kjo është një çështje urgjente. Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr 983, datë 10.11.2010, thotë që të gjitha institucionet lokale që merren me menaxhimin e trashëgimisë kulturore (Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare deri tani nën varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve) janë nën përgjegjësinë i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky vendim i jep Institutit të Monumenteve të Kulturës të drejtën për të propozuar një strukturë të re organizative. Pra, thotë raporti, IMK duhet të jetë organi përgjegjës për ruajtjen dhe menaxhimin e të dy qyteteve-muze si një njësi. IMK duhet të kujdeset për zbatimin e planit të menaxhimit të përbashkët. Si pjesë e kësaj strukture të re, IMK ka propozuar themelimin e një njësie që do të ketë të bëjë me kontrollin e territorit dhe ekzekutimin e projekteve të restaurimit. Kjo njësi i raporton periodikisht IMK-së dhe bashkëpunon me Inspektoratin Ndërtimor e bashkitë mbi masat administrative dhe të detyrueshme që duhet të ndërmerren. Sipas Eleni Maistrou, realizimi i strukturës së re organizative do të jetë i mundur në vitin 2013…
Problemet aktuale
Sipas raportit Eleni Maistrou, shqetësimet e ICOMOS për Beratin dhe Gjirokastrën janë: ndërtimet e paligjshme që datojnë nga pas 1990-ta, për shkak të presioneve të zhvillimit; mungesa e monitorimeve të veçanta; mungesa e një programi për gërmimet arkeologjike; mungesa e marrëveshjeve të duhura për mbrojtjen nga zjarri dhe mungesa e një plani të detajuar të zhvillimit të turizmit.
Shteti përballet me një numër vështirësish për shkak të burimeve të pakta dhe fuqisë punëtore, si dhe ato që rrjedhin nga mangësitë në legjislacionin ekzistues dhe strukturën e menaxhimit. Në raportin e konservimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 35-të, Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe organet këshilluese kanë vënë në dukje se “më pak vëmendje i është dhënë ruajtjes së vlerave së rralla e universale të Gjirokastrës krahasuar me Beratin”. Misioni, rikonfirmon se përparimi i vazhdueshëm në ruajtjen e Beratit qëndron në kontrast me çështje shumë më të vështira në Gjirokastër, për shkak të mungesës së fondeve dhe efektivitetit të menaxhimit, si dhe për shkak të mangësive ligjore. “Mbetet e qartë për misionin se ka një angazhim të fortë nga ana e administratës shtetërore dhe lokale për të siguruar që këto vlera, pasuri universale të mbrohen e të menaxhohen siç duhet, është po ashtu e qartë se shteti duhet të procedojë menjëherë duke marrë të gjitha masat e nevojshme para përfundimit të vitit 2014, në mënyrë që të shmangin shfaqjen e rreziqeve serioze për Pasuritë Botërore e Njerëzimit duke shmangur gjithashtu futjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik” – thekson raporti duke nënvizuar afatin kohor, pra deri më 2014-ën.
Ndërtimet pa leje
Sipas raportit, sistemi ekzistues i kontrollit për të shmangur ndërtimet pa leje nuk është efikas. Prandaj, një sistem më i mirë kontrolli i bazuar në mjetet e duhura ligjore duhet të marrë jetë për të parandaluar çdo shkelje të mëtejshme. Këshilla e Maistrou edhe për Beratin edhe për Gjirokastrën është: pezullimi i menjëhershëm i të gjitha ndërtimeve pa leje në zonën e ndaluar për to.(G.SH/LajmeSHqip.com)