Lajme Shqip Monday, 30 July 2012 17:30

Tiranë – Radio Televizioni Shqiptar ka organizuar këtë vit për herë të parë një festival të ri muzikor të quajtur “Hit Fest”.

Ky festival është produksioni më i ri në tregun muzikor, që u jep mundësi shumë të rinjve për t’u paraqitur përpara publikut ‘live’, në një garë të bukur që  ka shtegëtuar nga Pogradeci në Velipojë.

Finalja do të mbahet në Tiranë, ndërkohë që fituesi i çmimit të parë do të ketë të drejtën e konkurimit në Festivalin e 51-të të Këngës në RTSH.

Drejtori artistik i këtij festivali, Alfred Kaçinari, e konsideron këtë ngjarje muzikore, një format të munguar aktualisht, por edhe si një vazhdimësi të koncerteve tradicionale në RTSH, “Këngët e Stinës”, dikur mjaft i pëlqyer. Sipas Kaçinarit, “Hit Fest”, përveç se do të sjellë zhvillime pozitive në muzikën e lehtë, do të jetë edhe një mundësi për të promovuar këngëtarë të rinj, të panjohur për skenën shqiptare.

Festivali do të transmetohet në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar gjatë muajit gusht. Anëtaret e jurisë, Kejsi Tola, Olta Boka, Juliana Pasha, Anjeza Shahini, Aurela Gaçe dhe Rona Nishliu, do të jenë njëkohësisht edhe prezantueset e netëve të festivalit. Këto të fundit do të performojnë edhe këngët e tyre më të reja.

Ndërkohë që kanë kaluar vetëm dy muaj nga festivali evropian “Eurovision Song Contest 2012″, ku këngëtarja shqiptare Rona Nishliu përfaqësoi ngjyrat kuq e zi në këtë festival, Radio Televizioni Shqiptar ka filluar përgatitjet e festivalit të këngës i cili do të mbahet në dhjetor të këtij viti. Fituesi i këtij festivali do të fitojë edhe “biletën” për Eurosong.  

RTSH-ja ka hapur konkursin ku fton çdo të interesuar të marrë pjesë në edicionin e 51 të festivalit të këngës së lehtë. Të gjithë të interesuarit duhet t’i dërgojnë këngët në datat 8 dhe 9 tetor në zyrat e Radio Televizionit Shqiptar. (LajmeShqip.com)