Lajme Shqip Sunday, 17 March 2013 17:31

Prishtinë – Ndonjëherë të shkon mendja se ne shqiptarët jemi popull që harrojmë shpejt, ose mbajmë në mend vështirë. Por, romani i Binak Kelmendit, “Guri i vashës”, i botuar kohë më parë nga KOHA, i kundërvihet këtij fenomeni me fuqinë artistike të fjalës dhe rrëfimit, e mbi të gjitha me besnikërinë historike të gjithë asaj që na ndodhi këtu në Kosovë në vitet e ndërrimit të shekujve. Eseisti Muhamet Reçica i spikat këto cilësi të këtij romani. Ai “Gurin e vashës” e konsideron kryevepër për luftën e fundit në Kosovë. Po e botojmë të plotë këtë recension.

Autori Binak Kelmendi me romanin “Guri i vashës” e trajton në mënyrë të thellë dhe të gjithanshme luftën e vitit 1999 në Kosovë, të parë nga këndvështrimi i një krijuesi pjesëmarrës, i cili e trajton atë nga dimensioni historik, real dhe ai artistik, duke dhënë gjykimet më të goditura e të motivuara nga gjendja objektive e përmasave të dhembshme dhe e pasojave të shumanshme të saj. Ai në këtë roman shquhet për ndjesinë dhe mprehtësinë në përzgjedhjen e temës së luftës, duke i kuptimësuar çastet më me peshë të saj, për t’i përjetësuar në historinë tonë kombëtare që brezat e ardhshëm të mos i harrojnë dhe t’i ruajnë të freskëta në kujtesën e tyre kolektive.  

Përdhunimi, krim i planifikuar!

Sikur edhe vetë titulli i romanit të implikon në përmasat legjendare të luftës, në kuptimin e përditshmërisë së saj, me pasojat e tmerrshme në jetët e njerëzve të kësaj ane nga forcat ushtarake e paraushtarake serbe, të cilat sillen me ashpërsinë më të vrazhdë në raport me popullatën vendëse, e veçanërisht me gratë, fëmijët dhe pleqtë. Si të numëroheshin njerëzit e vrarë, të prerë në fyt, nxjerr sysh, të vdekur e të lënë kudo nëpër tokë, me koka të ndara nga trupi e me korbat e sorrat sipër tyre, krakëllima e të cilëve të fuste tmerrin… sepse ishte kohë e pakohë, që ka lënë një kujtim të rëndë, të hidhur e tepër të tmerrshëm. Si të arsyetoheshin veprimet e organeve serbe, të cilat natën i mblidhnin trupat e pajetë të lënë mbi dhe, por edhe duke i zhvarrosur e i ngarkonin në kamionë për t’i bartur në Serbi që t’ua humbnin gjurmët, siç thotë një shprehje popullore, atje “ku bën dreqi ve e ku bren miza hekur” vetëm e vetëm që t’i ikte fajësisë për krimet e bëra, që pesha eventuale e tyre të jetë sa më e lehtë…

Një përmasë tjetër lufte e trajton autori: përdhunimin si formë e luftës së planifikuar nga Serbia, si mënyrë për thyerjen e dinjitetit moral, si strategji për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët, që në fund të fundit ishte motoja e kësaj lufte. Aq sa i tmerrshëm ishte dhunimi, edhe më rëndë peshonte përdhunimi i detyruar incesal, si akti më çnjerëzor i shkeljes së integritetit moral, shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve atë kohë…derisa vajza, motra a nëna shqiptare preferonte vdekjen dhe kurrsesi përjetimin e një akti të tillë aq të ulët, veprim që i tmerronte ushtarët serbë…

Nga ky siklet shqiptaret, veçanërisht ato që kishin pësuar përdhunimin kërkonin shpëtimin te legjenda, te Guri i Vashës, të cilin shpresonin ta gjenin e të hidheshin nga ai për të hyrë në legjendë, si rrugë për shfajësim moral për fatin e rëndë e tragjik që kishin pësuar në atë kohë lufte. Ato tani e donin edhe vdekjen vetëm që të shkarkoheshin nga kjo barrë faji që kurrsesi ta përballonin, edhe pse motivi për ta duruar atë poshtërim ishte njerëzor: “… vetëm zëri i të birit nga bash i djepit më ndali që të bëja vetëvrasje”. Por, më kot u munduan ushtarët serbë ta vrasin nderin e mitizuar te shqiptarët, me gjithë brutalitetin, shtazërinë njerëzore e pangopësinë e urrejtjes që zbrazej mbi popullatën e pafajshme…

Ndjenja e antikohës, sa rëndë peshonte!

Një rrafsh tjetër psikologjik të mendësisë serbe, të cilën e trajton në mënyrë shumë të qëlluar autori, si tipar etnik serb e të bërë strategji luftarake institucionale, ka të bëjë me aktet e nëpërkëmbjes, nënshtrimit e poshtërimit të popujve të robëruar, si platformë strategjike për ta bërë shtetin serb si më të madhin, më të tmerrshmin dhe më të fortin jo vetëm në Ballkan, por mundësisht edhe në botë, sepse, sipas tyre, serbët janë të deleguarit e Zotit, të përzgjedhurit e tij në tokë, të preferuarit e tij në univers…. Mirëpo e vërteta ishte krejt tjetër, derisa kishte nga ushtarët serbë të cilët dhunshëm mobilizoheshin në ushtri për t’u dërguar në Kosovë, duke u thënë se po mbrohej atdheu, derisa ata ishin të bindur se atdheun e kishin lënë diku larg prapa shpinës, duke sharë e duke u shfryrë në ata që i kishin detyruar të vinin në luftë, duke u neveritur nga dhuna e plaçkitja e çdo gjë tjetër në Kosovë. Jo pak të çuditshme ishin edhe ekspozitat e trofeve të luftës, sendet më me vlerë të plaçkitura të cilat ekspozoheshin mbrëmjeve nëpër vende të caktuara, me të cilat mburreshin prijësit e luftës, derisa motoja e luftëtarëve serbë: “Vritni edhe fëmijët shqiptarë që të mos rriten e të të vrasin ty…” dëshmon urrejtjen patologjike raciste serbe kundër shqiptarëve.

Me shumë mjeshtëri e saktësi autori e pasqyron edhe gjendjen e të rrethuarve nga forcat serbe, e cila ishte aq trishtuese sa ata e kishin humbur edhe konceptin e kohës, edhe të ditëve, edhe të muajve…

Pjesa e dytë e romanit trajton hyrjen e NATO-s në Kosovë, duke gjetur dëshmi të përdhunimit seksual, dëshmi të masakrave të tmerrshme, të dënueshme me ligjet e luftës, copa trupash të mbuluar nën dhe, zhvarrimi i tyre, i cili përjetohej rëndë sa vetë vdekja…

Mund të përfundojmë se romani “Guri i vashës” i autorit Binak Kelmendi është një kryevepër për luftën e fundit në Kosovë, e cila pasqyron artistikisht dimensione të shumta të kësaj golgote, e cila si e tillë meriton të lexohet dhe të mbahet mend. Proza ka brumosjen e duhur artistike, vitalitetin e mjaftueshëm komunikues dhe me një zë njerëzor e origjinal trajton perspektiva të shumta të realitetit të trajtuar. 
(Autori i këtij recensioni është Muhamet Reçica, prozator e eseist) (K.N/LajmeShqip.com)