Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 16:10

Tiranë – Një e djelë e bukur mund të realizohet edhe më ndryshe nga ato ankesa që jemi mësuar shpesh të dëgjojmë, larg stresit të përditshëm, monotonisë e problemeve, apo siç mund të përmendë dikush, “atje ku ajri ndodhet larg smogut së kryeqytetit”, e ndodhur veçse 25 minuta larg Tiranës.

Një fundjavë e tillë, kundrejt një vlere tejet të vogël monetare, përmbledh brenda saj jo veçse kënaqësinë që të fal natyra, por edhe shijimin e një pikniku mes natyrës me të njohur e panjohur bashkë, e një rrugëtim të ardhshëm, të cilin mund ta ndërmarrësh edhe ti vetë.

Zalli i Korrës dhe Gryka e Murdharit janë dy prej monumenteve të natyrës, 37.2 kilometra larg qendrës së Tiranës, në verilindje të saj, në vijim të rrugës së Elbasanit.

Atje ku ndodhet lapidari, shumë pranë Kërrabës, ndonëse pa asnjë tabelë që të rrëfen vendndodhjen më të afërt të fshatit apo më saktë qytezës Skuterë, merr në të majtë të kësaj rruge.

Asfalti i dikurshëm tashmë i ndodhur aktualisht në një gjendje të mjerueshme nuk para rihet nga makinat, përveç ndonjë autobusi të bardhë të linjës ndërqytetëse, që të risjellin ndërmend se banorët e këtij fshati kanë qenë kryesisht ish-minatorë të Minierës së Kërrabës, ndërsa sot ata i gjen kafeve të fshatit që në dukje ka një shtrirje tejet të madhe.

Së paku, nga rruga automobilistike Tiranë-Elbasan, që shumë shpejt do quhet “rruga e vjetër”, në të majtë të saj, kemi ecur përmes këtij fshati rreth 2 kilometra e gjysmë deri në luginën e quajtur Zalli i Korrës, që ndodhet pikërisht 39.3 kilometra larg Tiranës.

Rrugës marrim në makinë një banor të këtij fshati, i cili nga tregon se pjesa më e madhe e banorëve të Skuterës kanë qenë në emigrim, kryesisht në Greqi, e kanë kohë pak kohë që tashmë janë rikthyer në shtëpitë e tyre, duke e marrë me bujqësi.

Në këtë rrugëtim tonin, të organizuar nga një prej shoqatave të alpinistëve që vepron kryesisht në mbështetje të turizmit malor, por edhe si një aktivitet interesant i një fundjave pushimi, të shumtë janë ata që merren me fusha të ndryshme, mosha të ndryshme, por edhe të huaj të njoftuar përmes rrjetit social Facebook, ku “High Albania Mountain Club” ka edhe një faqe të saj.

Gati 1 orë e gjysmë udhëtim më këmbë nga fshati Skuterë, ndodhet Zalli i Korrës, atje nga ku edhe duken punimet për rrugën e re Tiranë-Elbasan, ndërsa pas përroit, një degë e lumit Erzen, ndodhet një prej 14 monumenteve të natyrës, Gryka e Murdharit, e formuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë.

Ajo është e gjatë rreth 1 kilometër, e thellë rreth 100 metër dhe e gjerë rreth 30 metra, duke marrë trajtën e një kanioni mjaft interesant, me shpatet e thepisura përreth, plot guva e shpella karstike të vogla, madje edhe me lumin, i cili diku futet brenda një shkëmbi e del në anën tjetër.

E gjithë kjo mrekulli e natyrës shumë pranë Tiranës përbën një ekosistem karstik me vlera shkencore, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike. Tek ky monument shkohet duke ndjekur rrugën Tiranë – Mushqeta – qyteti i Kërrabës për 25 minuta.

Turizmi malor në Shqipëri

Interesi për të vizituar malet e Shqipërisë nuk është i ditëve të sotme. Turistë apo udhëtarë të huaj janë magjepsur pas viseve shqiptare dhe kanë memorizuar të gjitha mbresat e udhëtimeve në shënimet që ata kanë mbajtur.

Tani interesi për këto udhëtime apo turizmin malor duket se po ringjallet dhe këtij qëllimi i shërben edhe këto guida, një udhëtim mes atraksioneve mahnitëse të natyrës në brendësi të Shqipërisë, për ata që e duan turizmin eksplorues dhe të shëndetshëm.

Guida e parë shqiptare në fakt u botua midis viteve ’30-’40 ndryshe nga sa mund të mendohet, se të parat u botuan në vitet ’90.

Një libër i tillë i shkruar në gegërisht “Malet e Shqipnis”, drejtonte turistët, asokohe të paktën në numër, të vizitonin zonat malore dhe veçanërisht Veriun e Shqipërisë.

Në seancën e 25 nëntorit të një viti më parë në Parlamentin Shqiptar, deputeti Artan Gaçi gjatë fjalës së tij theksoi se “strategjia e duhur për të zhvilluar Shqipërinë do të ishte strategjia e një vendi turistik të bazuar në mbrojtjen, vlerësimin dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore, në pozicionin gjeografik e të vlerave të historisë, të cilat te ne janë me shumicë”.