Lajme Shqip Tuesday, 20 October 2015 15:53

Biletat për muze dhe lokalitete arkeologjike në Greqi prej vitit të ardhshëm do të jenë më të shtrenjta pasi shteti po planifikon që në këtë mënyrë të rrisë të hyrat me qëllim që të paguajë borxhet.

Këshilli Qendror i Arkeologjisë e ka aprovuar planin për rritjen e çmimit të biletave të institucioneve muzeore dhe atraksioneve të tjera të trashëgimisë kulturore në mbarë Greqinë. Ai do të nisë të implementohet që nga dita e parë e janarit të vitit të ardhshëm, transmeton Koha Ditore shkrimin e travel.aol.

Në bazë të një raporti shkruhet se një vizitor për të hyrë në Muzeun e Akropolisit në Athinë nga 12, sa ka paguar deri më tani, do të paguajë 20 euro. Biletat për Muzeun Kombëtar Arkeologjik mund të rriten nga 7 në 10 euro. Qeveria greke pret që me këtë plan të rrisë të hyrat për së paku 21 milionë euro. Sipas të përditshmes britanike “The Guardian”, zyrtarët e shtetit kanë thënë se 200 muzetë shtetërorë të vendit mund të pësojnë ngritje të çmimit të biletave. Ndërsa agjentët e udhëtimit kanë frikë se ky ndryshim drastik në çmime mund t’i largojë vizitorët nga Greqia.

Lysandros Tsilidis, presidenti i Federatës së Agjentëve të Udhëtimit në Greqi, ka thënë se i frikohet këtij vendimi.

“Taksa e vendosur për shërbime të turistëve, ashtu siç është lajmëruar për ngritjen e çmimeve të biletave në vendet arkeologjike dhe në muze, do të ndikojë që pakot e udhëtimit në fund të mos janë konkurrente në treg dhe eventualisht të mos kenë çfarë t’u shërbejë vizitorëve”, ka thënë Tsilidis.