Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 21:45

Gjirokastër – Inventari i vetëm i pronësive, i kryer 46 vite më parë, në vitin 1964 për Qendrën Historike të Gjirokastrës, do të përdoret aktualisht për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme.

Kërkesa i është bërë firmës që ka fituar projektin për kryerjen e këtij procesi nga vetë Zyra Rajonale e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Gjirokastër (ZRRPPGJ).

Aleksandër Pesha, drejtori i ZRRPPGJ, e argumenton këtë kërkesë me faktin se ky është i vetmi inventar i plotë i monumenteve të kulturës në këtë zonë.

“Me kërkesën tonë, regjistrimi fillestar i pasurive për zonën muzeale do të kryhet mbi bazën e inventarizimit të vitit 1964. Kjo është baza më e saktë e të dhënave për pronësinë e banesave dhe objekteve që mbajnë statusin “Monument Kulture”, tha Pesha, ndërsa nënvizoi se aktualisht, krahas kësaj, institucioni është duke skanuar gjithë dokumentacionin që ndodhet në arkiv dhe në këtë mënyrë çdo qytetar i interesuar mund të marrë informacionin e duhur “online” në një kohë mjaft të shkurtër.

Në vitin 1964, kohë në të cilën Gjirokastra mori statusin e “Qytetit- Muze”, u krye dhe inventarizimi i plotë i pronarëve të objekteve monumentale në Qendrën muzeale.

Sipas specialistëve, kjo është database më i saktë i të dhënave.

Vazhdimisht ekzistenca e një numri të lartë pronarësh për të njëjtën banesë është parë si një problem i madh për Qendrën Historike, pasi bëhet shpesh pengesë si për ndërhyrjet në to, ashtu edhe për përdorimin e tyre për institucione apo edhe shitjen dhe blerjen nga njerëz të interesuar.

Në fakt, pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre banesave nuk jetojnë në Gjirokastër.