Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 14:01

Tiranë - Euroimage ka përzgjedhur ndër 19 fituesit e fondit për financim, edhe projektin shqiptar për filmin e gjatë artistik “Agon”, me skenar dhe regji të Robert Budinës.

Mbas një konkursi që zgjati 3 ditë, projekti shqiptar, prezantuar nga shtëpia filmike Erafilm, me producente Sabina Kodra, u shpall fitues me 30 pikë, me vlerë financimi 140.000 euro.

Projekti për filmin “Agon” është mbështetur për financim nga Këshilli i Miratimit të Projekteve pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë shqiptare në qershor të vitit 2010. Ndërkohë që ky projekt ka gjetur partnerë bashkëprodhues në Greqi, Rumani dhe Francë.

Përpara jurisë së Euroimage, që u mblodh në datat 6-10 qershor, u paraqitën për mbrojtjen e këtij projekti përfaqësuesi shqiptar në Euroimage, Artan Minarolli, përfaqësuesi grek, rumun dhe ai francez.

Ky është projekti i dytë shqiptar që fiton në Eurimage, mbas projektit për filmin “Amnistia”, që tashmë është prodhuar dhe ka marrë pjesë në seksionin Forum në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin 2011, si dhe ka fituar shumë çmime prestigjoze.

Eurimage është Fondi Europian për mbështetjen e bashkëprodhimeve dhe shpërndarjes së veprave krijuese kinematografike dhe audiovizuale. Shqipëria është bërë antare e Eurimages në shtator të vitit 2009.