Lajme Shqip Friday, 29 March 2013 15:36

PRISHTINE – “Sensacioni” i radhës i regjisori serb Emir Kusturica pritet të jetë një film për trafikimin e organeve në Kosovë, por për artistët e filmit në vend, regjisori që hapur ka përkrahur regjimin e Slobodan Miloshevicit duhet të shpallet “persona non grata”.

Paralajmërimi i Kusturicës se po shkruan një skenar filmi bazuar në një raport të eurodeputetit Dick Marty, që pretendon se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë tregti me organe të njerëzve, meriton një reagim jo vetëm të komunitetit vendës, por edhe të atij ndërkombëtar. Kështu ka reaguar kryetarin e Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, Lirak Çelaj.

Sipas Celaj, një reagim vetëm nga komuniteti artistik në vend nuk mund të çojë peshë, ashtu sikurse një reagim shtetëror. “Kusturica fillimisht nuk mund të quhet artist, sepse ai është regjisor i skenarëve që i shkruan Qeveria serbe dhe ai ka përkrahur regjimin e Miloshevicit. Për këtë është mirë që komuniteti ndërkombëtar ta sanksionojë këtë regjisor e në Kosovë të shpallet” persona non grata’”, ka thënë Çelaj. Celaj theksoi për të përditshmen kosovare ‘Koha Ditore” se një reagim i fortë i shoqërisë kosovare është i nevojshëm në këtë rast, ku po bëhet propagandë kundër shqiptarëve.

Mediat serbe kanë raportuar të enjten se Kusturica po shkruan një skenar filmi për trafikimin e organeve të njerëzve, pasi siç citohet regjisori serb, trafikimi i organeve në Kosovë “është një e vërtetë e tmerrshme që po fshihet tani e shumë vjet”.

“Është e sigurt që këtë film do ta xhiroj në Rusi, sepse e di që nuk do të më lejohej ta xhiroja atë në Kosovë. Tek e fundit, atje nuk mund të hyjë as shefi i Zyrës së Serbisë për Kosovë, e lëre më unë”, citohet të ketë thënë Kusturica. Këto deklarata, siç raporton “Blic”, regjisori i ka dhënë gjatë një ligjërate që ka mbajtur para studentëve në Nish.

Në tetor të vitit të kaluar, Kusturica kishte vizituar Kosovën, përkatësisht Leposavicin, një vendbanim me shumicë serbe. Me filmin e tij të shkurtër “Jeta jonë” ai kishte hapur edicionin jubilar, të dhjetin me radhë të festivalit të filmit “Leposaviq 2012”. Kusturica kishte thënë se miti kosovar është ai që i jep peshë dhe shpirt jo vetëm popullit të Kosovës, por edhe krejt Serbisë, teksa kishte shtuar se do të mundohet që t’i ndihmojë popullit serb që jeton në Kosovë.

Emir Kusturica – pos si regjisor e muzikant – është fort i njohur në botë. Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi u shndërrua hapur në nacionalist radikal serb. Tradhtoi vendlindjen e tij, Bosnjën, kombin e tij, myslimanët e Bosnjës, ndërkohë që është i padëshiruar në vendlindjen e tij, Sarajevë. Përkrahu hapur Slobodan Miloshevicin dhe regjimin e tij në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Më 2005 u pagëzua si Nemanja Kusturica në manastirin “Savina” afër Herceg-Novit në Mal të Zi. Ndër të tjera, në shkurt të 2008-s ishte njëri ndër folësit kryesorë në mitingun e mbajtur në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës, “Kosova është Serbi” ku bënte thirrje për mbrojtjen e “tokës së shenjtë serbe”. (LajmeShqip.com)