Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 09:27

Fier – Rreth 30 artistë të artit viziv nga Turqia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Franca e Amerika, kanë nisur një tur vizitash në pikat turistike të qarkut Fier, me synim shkëmbimi i eksperiencave, njohjen me bukuritë dhe resurset turistike të Fierit, promovimin dhe pasqyrimin në art të këtyre vlerave.

Ky projekt artistik, i emërtuar “Apollo-Park-Apolloni”, synon eksplorimin e vlerave dhe resurseve turistike të qytetit dhe qarkut të Fierit dhe financohet nga bashkia e Fierit.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm për eksplorimin dhe promovimin e vlerave turistike dhe kulturore të qarkut të Fierit, i cili është nga më të pasurit në vend për sa i përket trashëgimisë kulturore”, tha kryebashkiaku Baftjar Zeqaj, ndërsa shtoi se “ky projekt nuk mund të realizohet nëse nuk ka brenda tij shpirtin tuaj, përkushtimin tuaj brenda këtij realizimi”. Zeqaj u shpreh se ky projekt do të konsolidohet dhe do t’u bashkohet projekteve-traditë të qytetit të Fierit.

“Duam që Fierin, më shumë se çdo qytet tjetër, ta lidhim me kulturën, pasi është qarku më i pasur në vend me traditën kulturore. Fierin e duam një qytet të gjallëruar nga përfaqësues të kulturës, siç jeni ju, nga muzikantët, dirigjentët, aktorë”, tha Zeqaj.

Drejtuesi i shoqatës “Antik”, Sajmir Ahmeti, që është pjesë e organizimit të këtij evenimenti artistik, ndër të tjera tha se “për rreth një javë artistët nga rajoni e më gjerë do të qëndrojnë së bashku, do të prodhojnë art së bashku duke rritur shkallën e njohjes dhe eksperiencës”.

“Nga ana jonë ka patur një lloj rekomandimi, që një pjesë e resurseve turistike të rajonit të pasqyroheshin në punët e tyre, kurse punët e tjera, të jenë në vullnetin dhe frymëzimin e tyre të lirë”, tha Ahmeti.

Të gjitha punimet do të ekspozohen në galerinë e arteve figurative të qytetit të Fierit.