Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 09:50

Prishtinë – Manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”, më 5, 6 dhe 7 mars, do mbahet në nderim të epopesë së Ushtrisë Çlirimtare dhe në kujtim të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësinë e vendit dhe popullit tonë, me moton “Nderojmë të kaluarën -ndërtojmë të Ardhmen”.

Axhenda u bë e ditur mbrëmë nga ministri i FSK-së, Agim Çeku, kryetar i Komisionit për organizimin e manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, pas një takimi të Komisionit.

Ceremonia kryesore, më 5 mars, do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me parakalimin e kuadrateve të FSK-së, duke filluar në orën 11:00, dhe më pas do të ketë një program kulturoro-artistik.

Më 6 mars, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 12:00, do të bëhen homazhe para varrit të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Varrezave të familjes Jashari, si dhe në Skenderaj dhe në të gjitha komplekset memoriale të UÇK-së në Kosovë.

Ndërsa po më 6 mars, duke filluar nga ora 18:00, në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, do të mbahet Akademia Përkujtimore kushtuar Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. Akademia do të përcillet me një koncert të Filarmonisë së Kosovës.

Më 7 Mars, në ora 18.00, në Kompleksin memorial Adem Jashari, do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve”, ku do të ndizen flakadanët simbol i lirisë, si dhe në të gjitha vendet e fushë betejave në Kosovë. Ndërsa programi kulturoro-artistik do të mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Ministri Agim Çeku, gjithashtu njoftoi se në kuadër të manifestimit do të organizohen edhe aktivitete të ndryshme  sportive.

Kryetari i Komisionit për organizimin e Manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në manifestimin përkujtimor më 5, 6 dhe 7 mars.