Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 16:05

Elbasan – Persona ende të paidentifikuar kanë grabitur në Muzeun Etnografik të qytetit të Elbasanit, objekte me vlera kulturore dhe historike, të rralla dhe që i përkisnin kohës së largët.

Sipas drejtorit të këtij muzeu, Kreshnik Belegu, “persona të paidentifikuar dhe që mendohet të jenë njohës të mirë të muzeut, pasi kanë shqyer derën kryesore, kanë marrë një numër të konsiderueshëm objektesh metalike dhe argjendarie të cilat i përkisnin shekullite të XVII”.

Sipas tij, në muze ndodheshin objektet metalike si, vathë argjendi, me vlera kulturore të cilat i përksnin shekullit të XIV, dy pistoleta të shekullit të XVIII, disa hajmali të vjetra dhe një objekt që shërbente për të pirë duhan, objekte të cilat  kanë vlera të rralla kulturore-historike dhe të pamundura për t’u zëvendësuar.

Është hera e tretë që Muzeu Etnografik në qendër të qytetit vidhet nga persona të papërgjegjshëm. Për herë të parë muzeu është grabitur në vitin 1992 dhe një herë tjeter në 1997.

Drejtuesi i muzeut thotë se ka bërë denoncim edhe në Qendrën e Rivitalizimit të Objekteve Kulturore dhe është vënë në dijeni Interpoli për të mos lejuar djaljen jashtë kufijve të këtyre objekteve me vlera të rralla muzeale.

Muzeu Etnografik i Elbasanit,  në qendër të këtij qyteti, vizitohet çdo ditë nga turistë të huaj dhe vendas.

Në godinën dykatëshe të Muzeut Etnografik gjendet kuadri historik, zejtaria, me rreth 80 lloje zejesh, veshjet, tipi i banesës qytetare karakteristike elbasanase etj.